Rama në Belsh, premton zgjidhje për shitjen e duhanit, në Krujë prezanton Artur Bushin

15/06/2015 00:00

Duke prezantuar Arif Tafanin për Bashkinë e Belshit kryeministri Edi Rama e quajti PD-në si një forcë në Parlament për llafe, por jo për punë, sepse  sipas tij, kudo ku i jep një shesh, bën një përshesh.

Rama hodhi një paralele mes drejtues të një skemë piramidele dhe kreut të PD-së, Basha.
 
“Po ku mendojnë ata t’i gjejnë kaq shumë budallenj, sa t’ju shkojnë nga mbrapa, me një fushatë kaq budallallepsëse dhe të turpshme?! Sepse është një fushatë e turpshme, të dalësh e t’u thuash qytetarëve në zgjedhje vendore, ku shkojnë për të zgjedhur kryetarin e bashkisë, se do t’jua japim dritat qyl. Kush do t’jua japë dritat qyl, doktori i tyre këtu?! Si dhe me se?! Me stetoskop?! Me këta, në 22 qershor do bëhet hataja dhe ju do t’i keni dritat qyl! Taksa jo! Dhe të gjithë do të marrin çfarë të duan! As Sudja, në qoftë se do të drejtonte sot Partinë Demokratike, nuk do të bënte një fushatë kaq qesharake dhe nuk do t’i merrte njerëzit për budallenj, sa ç’po i merr Luli|”, deklaroi Rama.

Problemit të madh të shitjes së duhanit, që prodhojnë fermerët e Belshit, Rama premtoi zgjidhje.

“Së bashku me një tjetër mik shumë të çmuar, një njeri shumë të respektuar, profesor Edmond Panaritin, që është edhe ministër i Bujqësisë, Arifi do të jetë krah për krah, edhe me mbështetjen time të plotë, për të zgjidhur më në fund edhe atë kancerin e duhanit, për të zgjidhur më në fund edhe atë hall të madh të të gjithë njerëzve punëtorë këtu, që mbetën peng i disa kompanive që kanë bërë çfarë kanë dashur. Por po i vjen fundi edhe asaj historie! Ne do të vendosim kushte të qarta, kompanitë të fitojnë atë që i takon, por jo në kurriz të njerëzve dhe të familjeve që në fshat punojnë me duhanin”, premtoi kryeministri.

Unifikim i kapaciteve financiare të bashkisë së re të Krujës, përfshi ndriçimin dhe rikualifikimin urban. Këto janë disa prej angazhimeve të kandidatit të majtë Artur Bushi, të cilin kryeministri Rama e quajti menaxherin e duhur për krutanët.

“Sot bashkia e madhe e Krujës, nuk është thjeshtë një bashki më e madhe në territor dhe popullsië, por është më e madhe në potenciale zhvillimi ekonomik dhe social. Pas katër vitesh këtu në Krujë do të lulzojnë shumë herë më tepër bizneset e vogla, shumë herë më tepër baret, dyqanet, restorantet, sepse ne do t’i japim Krujës një shkëlqim që do t’i bëjë vizitorët të qëndrojnë me orë e me netë këtu për të shijuar bukuritë e qytetit”, deklaroi Rama.

Top Channel