Shqipëria fiton vazon e tretë për kualifikueset e Rusi 2018?

15/06/2015 00:00

Europa sapo ka kaluar mesin e rrugëtimit të kualifikueseve për kampionatin e ardhshëm europian, që do të zhvillohet në Francë, por i gjithë interesimi është fokusuar që tani në Botërorin e vitit 2018, teksa muajin e ardhshëm pritet të hidhet shorti për kualifikueset e kompeticionit që do të zhvillohet në Rusi.

Renditja botërore e kombëtareve të futbollit nga FIFA pritet të publikohet së shpejti, por parashikuesit më të mirë kanë bërë një përcaktim të përafërt, që gjithsesi mbetet për t’u vërtetuar, të shpërndarjes së ekipeve kombëtare nëpër vazot e shortit për kualifikueset e Rusi 2018.

Shorti do të hidhet në Shën Pjetërburg, më 25 korrik, por nga sistemi i renditjes së kombëtareve që pritet të publikohet pas ndeshjeve të radhës kualifikuese të Europianit 2016, Shqipëria duket se ia ka dalë mbanë të zërë një vend në vazon e tretë.

I vetmi dyshim deri më tani mbetet mes Italisë dhe Kroacisë, se cila prej këtyre dy kombëtareve do të jetë pjesë e vazos së parë dhe cila e së dytës, gjë që do të përcaktohet nga takimi i 16 qershorit mes Italisë dhe Portugalisë, ku në rast fitoreje të “axurrëve” kroatët do të renditen në vazon e dytë, ndërsa italianët në të parën. Përndryshe, çfarëdo lloj rezultati tjetër mes Italisë dhe Portugalisë do ta nxirrte Kroacinë në vazon e parë dhe do t’i linte “axurrët” në të dytën.

52 ekipet europiane do të ndahen sipas shortit në 9 grupe, ku njëri prej ekipeve do të përcaktohet nga secila prej 6 vazove të parë, ndërsa dy grupe do të mbeten me nga 5 rivalë. Fituesit e grupeve do të kualifikohen drejtpërdrejt në Rusi 2018, ndërsa 8 më të mirët e vendeve të dyta do të përballen në ndeshje “play-off” për të përcaktuar edhe 4 përfaqësues të tjerë nga Europa.

Vazo 1: Gjermani, Belgjikë, Holandë, Rumani, Angli, Uells, Portugali, Spanjë, Kroaci/Itali*
Vazo 2: Kroaci/Itali*, Sllovaki, Austri, Zvicër, Republika Çeke, Francë, Islandë, Danimarkë, Bosnje-Herzegovinë
Vazo 3: Poloni, Ukrainë, Skoci, Hungari, Suedi, SHQIPËRI, Irlandë e Veriut, Serbi, Greqi
Vazo 4: Turqi, Slloveni, Izrael, Republika e Irlandës, Norvegji, Bullgari, Ishujt Faroe, Mal i Zi, Estoni
Vazo 5: Qipro, Letoni, Armeni, Finlandë, Bjellorusi, Maqedoni, Azerbajxhan, Lituani, Moldavi
Vazo 6: Luksemburg, Kazakistan, Lihtenshtejn, Gjeorgji, Maltë, San Marino, Andorrë.

*Kroacia dhe Italia mbeten peng i rezultatit të ndeshjes Itali-Portugali, më 16 qershor.

Top Channel