Udhëtimi i ëndrrave i trupës muzikore “The Door”

15/06/2015 00:00

Ata janë nisur në një udhëtim drejt një ëndrre. Do të fluturojnë shumë larg për të performuar në një festival muzikor, çka për ta, prej vitesh është kthyer në motivin e jetës së tyre.

Janë 21 të rinj nga Shkodra me nevoja të veçanta dhe së bashku, prej një dekade formojnë bandën muzikore “The Door”. Ata do të jenë shumë shpejt në Trondheim, në qytetin antik të Norvegjisë, aty ku për të tretën herë banda e tyre merr pjesë në festivalin “Ne duam, ne mundemi”, një aktivitet ndërkombëtar ku performojnë banda të tjera simotra.

Rrugëtimi është shumë i gjatë, por entuziazmi i bën që të tejkalojnë vështirësitë e kufizimeve të tyre fizike.

“Është hera e parë që vij këtu, falënderoj Zotin që më ka dhënë këtë mundësi”, tha Dyshja.

“Po e përjetoj shumë mirë. Pak me emocion, sepse nuk di se çfarë emocionesh do të marrim nga koncerti, por gjithsesi do jetë një eksperiencë shumë e bukur”, tha Mirsada.

“Në rolin tim kam Bastubin. Më pëlqen, por është shumë i vështirë. Gjithsesi me forcat e mija dhe qejfin tim e përballoj mirë”, tha Dyshja.

Sigurisht, që të gjithë përballen me vështirësi, për shkak të kufizimeve që kanë dhe rrethanave personale të gjithsecilit. Por Angjelini, djali 33-vjeçar nga Vraku i Shkodrës, është frymëzim dhe model për bandën.

“Angjelini është ardhja e fundit në bandën tonë. Ka 6 muaj që është bashkuar me ne. Ai ka disa detaje të veçanta, për të cilat na bën përshtypje edhe ne. Shtëpinë e ka shumë larg, ashtu sikurse edhe e ka të pamundur të lëvizë, por kurajoja e shtyn të vijë deri këtu. Ka një biçikletë me tre rrota dhe me atë arrin të vijë, duke bërë 10 km vajtje dhe 10 km kthim”, tregon Admiri.

Megjithatë, befasia e bandës është Ramazani. 17-vjeçari, i cili as nuk flet e as nuk dëgjon, falë zgjuarsisë arrin të interpretojë edhe në veglën muzikore, që mësuesit e muzikës ia kanë besuar.

“Faktikisht, kur më erdhi Ramazani për herë të parë u befasova. Një person i urtë, i cili as nuk dëgjon dhe as nuk flet, por kishte një lloj dhuntie që, me hapjen e gojës time ai të mund të kuptonte të gjitha detajet, të cilat kërkoja të bëheshin në mësimin me këtë djalë”, thotë Bepi.

Mes përzierjes së emocioneve të shumta mbërrin dhe dita e madhe e festivalit. Sipas traditës, bandat do të zhvillojnë paradën prezantuese në qytet. Dhe, megjithëse moti nuk është në anën e tyre, asgjë nuk i pengon të rinjtë të marshojnë drejt synimit përfundimtar.

Dhe kur erdhi momenti i shumëpritur, vëmendja ndaj performancës së tyre e duartrokitjet ishin çmimi, që të rinjtë e “The Door” mezi prisnin të merrnin. Por edhe ëndrra e ka një fund.

Për të gjithë këta të rinj, përfshirja në bandë dhe pjesëmarrja në këtë aktivitet apo edhe të tjera, është mundësia më e mirë, që ata të tejkalojnë kufizimet e tyre.

“Mua më ka ndihmuar shumë për jetën time. Isha e mbyllur, e ndrojtur, më ka hapur horizonte të reja”, tha Mirela.
Pa më të voglin dyshim, kjo eksperiencë u ka ndryshuar jetën atyre.

“E kam pritur shumë momentin për të ardhur këtu me gjithë shoqërinë e Shkodrës. Të dëfrehemi e të kënaqemi. Këtë gëzim nuk e kam përjetuar asnjëherë më parë”, tha Luçiana.

Por emocionet nuk mbarojnë me festivalin. Pritshmëritë e tyre për dëfrim dhe shoqëri kapin kulmin, pasi sipas traditës, aktiviteti mbyllet me një mbrëmje argëtuese. Trupat pjesëmarrëse dhe organizatorët shkrihen në një, për të dëfryer të gjithë bashkë, pa kurrëfarë barrierash.

Top Channel