Aksidentohet mjeti me të burgosur të Drenovës, asnjë i lënduar

15/06/2015 00:00

Një automjet, që transportonte 4 të burgosur të Burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, është aksidentuar gjatë orëve të pasdites së të hënës, në afërsi të fshatit Sovjan, në aksin Pogradec-Korçë.

Sipas të dhënave paraprake të policisë, mjeti i blinduar po transportonte të burgosurit pas përfundimit të një seance gjykimi në Gjykatën e Pogradecit, kur në afërsi të fshatit Sovjan ka pasur një problem, çka e ka bërë atë të dalë nga rruga, por fatmirësisht asnjë nga të burgosurit dhe efektivët, që ndodheshin brenda tij, nuk janë dëmtuar.

Ndërkohë shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë dhënë të tjera detaje, mbi rrëshkitjen e mjetit autoblind të IEVP-së së Drenovës, të ndodhur rreth orës 17:10. Automjeti tip furgon “Fiat Ducat”, me targa TR 3088K, me drejtues shtetasin 38-vjeçar T.C. ishte duke shoqëruar 4 të burgosur nga Pogradeci drejt Korçës, por pavarësisht rrëshkitjes nuk ka pasur lëndime.

Pas ngjarjes, policia e Korçës ka nisur hetimet mbi shkakun e aksidentit, ndërsa të burgosurit u transportuan në Burgun e Drenovës, të shoqëruar nga patrullat e policisë.

Top Channel