Rruga kalon përmes Gjirit të Lalzit, deri sa derdhet tej me detin në horizont. Janë vetëm pak minuta udhëtim, që mjaftojnë për të të njohur një zonë të fshehur pas plazhit, kaq shumë të frekuentuar nga turistët.

Në krye qëndron fshati Shetaj, për shumicën pak i njohur, por me një bukuri të rrallë, që mund të dallohet lehtësisht. Shpesh është e vështirë të kuptosh se, pse zona të tilla nuk promovohen e nuk mbështeten sa duhet me projekte zhvillimore. Rruga kalon përmes, sikur kërkon të zbulojë më shumë, e më shumë në këtë zonë.

Me emrin e një perëndie ilire mbi shpinë, Kepi i Rodonit është një nga pasuritë më të mëdha historike, kulturore e natyrore, e rrjedhimisht duhej të ishte edhe një destinacion prioritar turistik, çka deri më sot për fat të keq nuk ka ndodhur.

Hyji Redon është pjesë qëndrore e mitologjisë së pasur ilire, duke u konsideruar si më i rëndësishmi gjatë periudhës qytetare dhe lulëzimit të shtetit ilir. Për një pjesë studiuesish, ai ishte hyji i detit, ndërsa për të tjerë pozicioni i Redonit është edhe më i rëndësishëm, duke u lidhur pashmangshmërisht me kultin e familjeve mbretërore ilire.

Kepi i Rodonit ofron ndërthurje të forta mes mitologjise e historisë, që këtu vështirë se mund të ndahen shpesh nga njëra-tjetra. Në një shesh të gjerë e me vështrim nga deti ngrihet kisha e fundit, që ka mbetur në këmbë, nga mbi 4 manastire që ekzistonin dikur në këtë vend. 3 të tjerët; ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit dhe Shën Mërisë; nuk janë më.

“Kisha e Shna Ndoit me një arkitekturë romako-gotike i përket – sipas studiuesve, – periudhës mesjetare shqiptare. Ka burime se, motra e Skënderbeut mund të jetë ajo që e ka ndërtuar, ashtu siç mendohet se, Mamica edhe jetën e ka mbyllur në këtë vend”.

Afreskët thuajse janë zhdukur gjatë periudhës komuniste, që këtë vend, për një kohë të gjatë e shndërroi në një depo të rëndomtë, e më pas e la në gjendje gjysmë të rrënuar. E megjithatë, gjurmë ka ende. Janë gjurmë, që i përkasin familjes së Kastriotëve. Simbolikat, që duken në kupolë, ofrojnë detaje të rëndësishme mbi identitetin e saj. Shqiponja arbërore e në krah një vajzë mbi kal, që shumë mendojnë se është Mamica Kastrioti. Më tej, edhe një lejlek, simbolika e të cilit është e vështirë për t’u kuptuar.

Punimet e fundit mbi këtë kishë janë kryer diku 15 vite më parë, me asistencën që monumentet e kulturës morën në atë kohë nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë. Që atëherë asgjë, edhe sot asgjë. Aty mund të hysh e të dalësh si të duash, askush nuk të pengon, ashtu siç askush nuk është për të treguar diçka mbi historinë e saj.

Rrënojat e reparteve të shumta, që ekzistonin në këtë vend, kanë qenë një dyzinë e bëjnë hije me skeletet që po u bien. Sot nuk funksionon asnjëri prej tyre. Më poshtë dallohen gjire të mrekullueshme, që dora e njeriut ende nuk ka mundur t’i shkatërrojë. Më tej, pa asnjë tabelë orientuese, çka do ta bënte të pamundur të gjendej nga turistët, fshihet edhe Kalaja e Skënderbeut. Nuk është larg zonës së fundit, ku të çon makina. Janë rreth 15 apo 20 minuta të përshkueshme këndshëm, mes gjelbërimit të hazdisur dhe detit në ngjyra të ndezura.

“Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu diku rreth viteve 1451-1452. Ajo do të shërbente si një skelë detare, por edhe si një vend, që – siç thonë dokumentet – do të përdorej si seli, ku heroi kombëtar zgjidhte të çlodhej pas betejave të mëdha, por siç mendohet edhe ku kaloi muajin e mjaltit me Donikën”.

Burimet e para të shkruara diku rreth viteve 1320-1324 e identifikojnë Kepin e Rodonit si një qendër të njohur piratësh, e kjo për shkak të pozicionit të favorshëm të mbrojtur nga krahët, e me mundësinë për t’u larguar shpejt në det. Ndoshta për këtë u përzgjodh edhe nga Skënderbeu, i cili, pas punimeve të para, bëri edhe disa të dyta përforcuese në vitin 1463, përmes sjelljes së disa mjeshtrave të njohur nga Raguza. Kohë më parë, kalasë iu shkul me përdhunë edhe bazorelievi disa shekullor i kryeëngjëllit Mikael, që i mbijetoi komunizmit, por jo barbarisë pasuese.

Kalaja, edhe pse sot në dukje e vogël, ka qenë disa herë më e gjerë, me kullat, që përfundojnë në det e me një mur mbrojtës, që krijonte një hapësirë me gjatësi rreth 500 metra e gjerësi 100 metra. Kalaja kishte edhe kullat, njëra prej të cilave shërbente për të komunikuar me zjarr, apo me tym, me Kalanë e Krujës. Ashtu siç dallohen edhe frëngjinjtë e topave, e gjithçka tjetër që i jep këtij vendi një vlerë të rrallë.

Ajo që dallohet sot, veç bukurisë përrallore që ofron ky vend, është lënia thuajse në harresë e saj. Erozioni po vë nën presion kalanë. Nga njëri krah deti, e nga tjetri dheu, dukshëm në rrëshkitje e sipër. Ndërkohë, mbetje të ndryshme kanë pushtuar bregun, e kjo si pasojë e ndotjeve të vazhdueshme, që derdh çdo ditë, pas asnjë pengesë, disa kilometra më tej lumi i Ishmit.

Nuk mund të mos largohesh pa kokën pas nga kjo zonë, nga një prej kalave ndoshta më të bukura shqiptare, për shkak të pozicionit të saj, nga kisha e sotme e historitë e atyre të djeshme, që ngrenë krye në një zonë me shumicë myslimane. Një ndërthurje e jashtëzakonshme, që tregon jo thjesht historinë, por edhe tolerancën që ka shoqëruar shqiptarët. Historitë me piratë, e legjendat e perëndive ilire të ndjekin pas kudo, në këtë vend, që ka mrekullinë e natyrës, por edhe lënien pas dore të autoriteteve përkatëse.

Top Channel