Kosova, takime përmbyllëse në Njësitë 8, 9 e 10: Bashkia, pushteti i qytetarëve

15/06/2015 00:00

Doktor Kosova, në mitingun elektoral të radhës u shpreh se, pas 6 ditësh, Bashkia do të jetë pushteti i qytetarëve.

“Ne duam të jetojmë demokracinë çdo ditë dhe ky është momenti. Projekti im është transparenca, integriteti, ndërshmëria, lufta ndaj korrupsionit dhe komunikimi i përditshëm dhe i drejtpërdrejt me ju. Do të pyeteni për çdo gjë. Bashkia është pushteti juaj. Është shumë e thjeshtë, e kam thënë edhe më parë. Unë nuk hyra në këtë garë, që të bëhem qytetari i parë. Nuk hyra, që të krijoj një distancë me ju. Unë vij nga ju, nga kontakti i përditshëm me ju, jam një nga ju dhe do të jem një qytetar si ju”, u shpreh kandidati demokrat për Tiranën, Halim Kosova.

Kandidati i së djathtës për Bashkinë e Tiranës, duke iu drejtuar banorëve të njësive 8, 9 dhe 10, u shpreh se çdokush do të jetë partner i tij në drejtimin e Bashkisë.

“I djathtë, i majtë, i qendrës apo pa parti, kushdo qofsh. Banor i këtij qyteti, kudo ku banon; në njësinë 10, në njësinë 9, në fshat apo në qytet; në të gjithë territorin e Tiranës, po e them sot këtu se ti je partneri im. Konsideroj çdo qytetar të barabartë në të drejta e përgjegjësi dhe do jem çdo ditë në krahun e secilit prej jush për të shërbyer. Unë kam një projekt konkret me 5 pika kyçe, prioritete që kanë lindur nga komunikimi i përditshëm me qytetarët. Ujë gjatë 24 orëve, shkolla të reja e përmirësim i atyre ekzistuese, rrugë e trotuare, qytet të pastër e higjienik, ulje taksash për biznesin dhe krijimi i vendeve të punës. Programi është i detajuar, i hartuar me ndihmën e ekspertëve më të mirë të fushës. Tirana, sipas meje, nis te dera e shtëpisë. Ndërhyrjet do të ndikojnë në cilësinë e jetës, në rrugën e në lagjen tuaj”, vijoi më tej Halim Kosova.

Duke iu drejtuar qytetarëve, doktor Kosova u shpreh se ai dhe qytetarët do të kenë një lidhje të fortë.

“Kjo është lidhja, që do të mbajë bashkë. Nuk ka çmim, që e prish këtë lidhje mes meje dhe banorëve të Tiranës. Thjesht ka ardhur momenti, që këtë marrëdhënie të fortë, që kemi, ta zyrtarizojmë. Ta sjellim në fuqi më 21 qershor. Lidhja jonë është e vërtetë, nuk ka nevojë për spote e postera, që bëhen me paratë, mundin e djersën tuaj. Fitorja jonë është e përbashkët”, tha kandidati Kosova.

Top Channel