Basha: Rama, vëllai binjak i Sudes

15/06/2015 00:00

Nga Pogradeci në Korçë dhe Elbasan, Lulzim Basha ka 2 mesazhe kryesore elektorale.

I pari ka të bëjë me qeverinë dhe kreu i opozitës i paraqet drejtuesit e mazhorancës si mashtrues përsëritës dhe hileqarë, që kanë bërë gati disa vendime të reja kundër interesit qytetar.

“Kanë bërë gati rritjen e çmimit të ujit me 50 përqind, kanë miratuar rritjen e çmimit të tavanit të qirave dhe duan të rikthejnë pas zgjedhjeve ligjin e konfiskimit të shtëpive për ata që nuk paguajnë faturat”, tha Basha.

Këtë politikë të qeverisë, Lulzim Basha e goditi edhe në Korçë, ku gjeti rastin të bëjë replikë në distancë me Edi Ramën se kush po mashtron qytetarët.

“Edi Rama sillet sot si vëllai binjak i Sudes në një piramidë të stërmadhe mashtrimesh. Edi Sudja premtoi punësim dhe solli shpunësim, premtoi taksa të ulëta dhe solli taksa të larta, ulje të çmimit të energjisë dhe e rriti”, tha kreu i opozitës.

Mesazhi i dytë i opozitës në këtë fushatë është se duke bashkuar votën, shqiptarët dhe opozita mund të detyrojnë qeverinë të ndalë kursin shkatërrimtar.

“Kur Shqipëria ta votojë oligarkia do ta pranojë ose largohet”, tha Basha.

Në mbrëmje në Elbasan, kur numërimi mbrapsht ka filluar, Lulzim Basha u kërkoi shqiptarëve që përpara se të votojnë të bëjnë një llogari të thjeshtë dhe të bashkojnë votat kundër varfërisë.

“A është përmirësuar jeta? A është drejtimi i duhur ky? ‎ Jo thotë Korça, jo tha Pogradeci, jo tha Devolli, jo tha dje Gjirokastra e Mallakastra, jo po thotë Shqipëria nga jugu në veri. Unë ju jap fjalën do t’i shkojmë deri në fitore kësaj beteje”, tha Basha.

Top Channel