Veliaj, në takimet përmbyllëse: Votoni për drejtimin e duhur, që nesër të mos ankoheni

15/06/2015 00:00

Takimin përmbylles me banorët e Njësive 7, 9 dhe 11 në Tiranë, Erion Veliaj e nisi me një apel drejtuar gjithë qytetarëve të mërzitur, të zhgënjyer dhe të tradhëtuar në këto 4 vite.

“Nëse zgjohesh çdo ditë në mëngjes dhe i gjen mbeturinat te dera, mos u anko por voto drejtimin e duhur. Nëse jeton në lagjet tona dhe rrugët janë pa ndriçim, mos u anko, por me një votë ke mundësi të zgjedhësh drejtimin e duhur. Nëse transporti publik nuk është aty për ty, nuk vjen në orar dhe nuk të shërben, mos u anko, por ndryshoje. Me një votë mund të bësh ndryshimin dhe ta çosh Tiranën në drejtimin e duhur”, u shpreh Erion Veliaj.

Duke u ndalur te kundërshtari i tij politik në këtë garë, Erion Veliaj vuri në dukje diferencat e mëdha mes tyre.

“Sot, kandidati tjetër, u takua me shoqatën e betonit dhe u tha se ishte 24 orë në dispozicionin e tyre. Unë jam 24 orë në dispozicion të qytetarëve, që duan parqe, gjelbërim dhe jo më beton e ndërtime në Tiranë. Nuk duan t’u zihen lulishtet e gjyshërve dhe fëmijëve nga betoni”, deklaroi kandidati i majtë për Tiranën, Veliaj.

E në fund, Veliaj u bëri thirrje gjithë qytetarëve, që të votojnë për drejtimin e duhur.

“Më 21 qershor do të votojmë për një Tiranë që punon 24 orë në ditë, 52 javë gjatë gjithë vitit, e që punon 365 ditë duke shkuar në drejtimin e duhur”, deklaroi Veliaj.

Top Channel