Gjergj Bojaxhi: Shoqëria të refuzojë politikën e papërgjegjshme dhe të korruptuar

15/06/2015 00:00

Në ditën ndërkombëtare të “Magna Carda” pedagogë, akademikë dhe pjestarë të shoqërisë civile dhe pjestarë të grupimit “Ne Tirana” diskutuan mbi gjendjen e lirisë dhe autoritarizmin.

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi në fjalën e tij, tha se tërmeti politik kundër pa drejtësive vjen përmes votës dhe elitave. Sipas tij, nëse nuk thyhet ky arbitraritet sot, atëherë të gjithë duhet ta mbajnë përgjegjësinë për këtë gjë.

“A e pranon arbitraritetin një popull i cili del i gjithi në shesh për të festuar fitoren në një ndeshje sportive ndaj një fqinji, por e ka të vështirë të revoltohet nga videot e korrupsionit dhe mos ndëshkimi i tij? A mjaftojnë protestat për importin e plehrave kimike për të shpresuar për përgjegjshmëri më të lartë politike të kësaj shoqërie? Ndoshta, por nga ana tjetër kemi parë sesi partitë e akuzuara për korrupsion, rriten me disa fish në numra deputetësh”, është shprehur Bojaxhi.

Gjatë diskutimit, Bojaxhi theksoi se arbitrariteti i pushtetarëve të sotëm shqiptarë mposhtet përmes një pakice të vullnetshme, që mund të tërheqë mbështetjen e pjesës më të vetëdijshme të shoqërisë dhe më pas, edhe të pjesës tjetër, e cila sipas tij, është e lodhur nga tranzicioni i gjatë dhe i pafund.

“Nuk kemi më asnjë arsye e justifikim për të shmangur këtë përgjegjësi. Kemi të gjithë detyrimin moral dhe si qytetarë për të udhëhequr shoqërinë drejt refuzimit të padrejtësive, të një politike të papërgjegjshme dhe të korruptuar. Sot ne kemi në dorë fatet tona”, deklaroi kandidati për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi.

Top Channel