Afrikanët e bllokuar në kufi; refuzojnë të hyjnë në Itali, Franca nuk i pret

16/06/2015 00:00

Dhjetëra emigrantë afrikanë prej katër ditësh janë bllokuar në kufirin italo-francez. Sipas autoriteteve dypalëshe afrikanët refuzojnë të futen në territorin italian, sepse nuk duan të qëndrojnë aty, e ndërsa Franca i ka mbyllur dyert për t’i pritur.

Ndërkaq afrikanët kërkojnë të lëvizin për t’u bashkuar me anëtarët e familjeve të tyre, të cilët janë shpërndarë nëpër Europë.

Çështja që ka mbetur pezull, i ka detyruar refugjatët të mbijetojnë në tenda të improvizuara pranë bregdetit shkëmbor, zonë që këtë periudhë frekuentohet nga një numër i lartë turistësh.

Por rregullat e BE-së përcaktojnë se emigrantët duhet të qëndrojnë në shtetin e parë përmes të cilit hyjnë në Europë. Ky  fakt duket se rëndon mbi Italinë, që ka marrë rreth 57 mijë emigrantë.

Lidhur me këtë çështje, nuk mungoi as deklarata e kryeministrit Matteo Renzi, i cili paralajmëroi që, nëse nuk do të tregohet solidaritet nga ana e BE-së, Italia ka një “plan rezervë  B”, i cili nëse do të vihet në zbatim, me shumë gjasë do ta “dëmtojë Europën”.

Top Channel