Multimilioneri francez shet gjithçka për të gjetur…kuptimin e jetës

16/06/2015 00:00

Hulumtimet vazhdimisht tregojnë se paratë nuk e blejnë lumturinë e njeriut. Dhe Fabrice Grinda mund të jetë shembulli konkret i kësaj.

Sipas profilit që i ka kushtuar prestigjiozja “New York Times”, Grinda, një nga sipërmarrësit francezë më të mëdhenj të teknologjisë, ka një pasuri që kap vlerën prej 100 milionë dollarë. Para pak ditësh biznesmeni vendosi të shesë gjithçka për të provuar shijen e vërtetë të jetës.

“Kur kam kthyer kokën prapa për të parë gjërat që kanë rëndësi për mua, kuptova se ato ishin përvojat, miqësitë dhe familja, ku unë për shkak se kam qenë shumë i zënë dhe gati-gati posesiv për të bërë pasuri, nuk kisha investuar dot”, shprehet Fabrice Grinda.

Jeta e tij ka qenë vërtetë mes luksit; me vila shumëkatëshe apo me makina sportive nga më të fundit. Por tani 40-vjeçari i shiti gjithçka dhe pohon se nuk është në krizë emocionale.

E vetmja gjë që i ka mbetur në duar është një valixhe me 50 sende personale, si edhe një apartament në Nju Jork, të cilin e lë me qira kur niset për të qëndruar pranë njerëzve të afërt.

Top Channel