Kurdët rimarrin qytetin strategjik të Tal Abyad në Siri

16/06/2015 00:00

Forcat kurde në Siri kanë arritur të marrin kontrollin e qytetit Tal Abyad, i cili prej kohësh mbahej nga ISIS dhe ishte një linjë e rëndësishme furnizimi për militantët e Shtetit Islamik.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se janë duke u dërguar përforcime nga njësitë e Mbrojtjes së Popullit kurd (YPG) për të siguruar rrugën kryesore të lëvizjes së terroristëve të ISIS në Raqqa.

Forcat kurde në Siri mbështeten nga grupet rebele siriane dhe nga sulmet ajrore të koalicionit, të udhëhequr nga Shtete e Bashkuara.

Pasditen e së hënës, një zëdhënës i një grupi rebel sirian, që lufton përkrah forcave kurde, tha se në lindje dhe në jug të Tal Abyad janë zhvilluar luftime të ashpra me militantët e ISIS, ku për pasojë ka pasur një numër të madh viktimash.

Mijëra civilë sirianë janë detyruar të largohen prej luftimeve në kufirin verior. Shumë prej tyre vazhdojnë të përpiqen të kalojnë kufirin për në Turqi.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka shprehur së fundi shqetësimin se largimi i refugjatëve mund të krijojë hapësira që grupimet kurde të zgjerojnë territorin.

Ai vetë është shprehur kundër sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, pasi mendon se ato godasin objektiva arabe e turke dhe krijojnë më shumë territor për kurdët.

Top Channel