Vritet kreu i Al Kaedës në Arabi, konfirmohet zëvendësimi i tij

16/06/2015 00:00

Al Kaeda konfirmoi vdekjen e drejtuesit të degës së saj në gadishullin arabik, Nasser al-Wuhayshi, i vrarë gjatë një sulmi të “drone”-ve amerikanë në Jemen. Njoftimin, grupi e bëri përmes një videoje të hedhur në internet, ku sqarohet se, bashkë me al-Wuhayshi, në të njëjtin episod kanë gjetur vdekjen edhe dy luftëtarë të tjerë.

Al-Wuhayshi konsiderohej personi i dytë në zinxhirin e komandës së rrjetit terrorist dhe dikur ka shërbyer si ndihmësi më i afërt i Osama bin Ladenit. E njëjta video tregon se pasardhësi i udhëheqësit të vrarë është caktuar menjëherë.

Ai është kreu ushtarak i organizatës, Qasim al-Raymi. “Ne, të Al Kaedës në gadishullin arabik vajtojmë sot largimin nga kjo jetë të Abu Nasser al-Wuhayshi, zoti i dhëntë paqe, gjatë një sulmi që shënjestroi atë dhe dy prej vëllezërve të tij muxhahedinë, u prehshin në paqe dhe ata”, thotë në pamjet filmike Khaled Batarfi, një anëetar i lartë i Al Kaedës.

Pentagoni, nga ana e tij, nuk ka bërë asnjë koment mbi ngjarjen. Megjithatë, në faqen e internetit të agjencive të inteligjencës, më herët thuhej se, po të konfirmohej vdekja e Al-Wuhayshit, atëherë ky për Al Kaedën do të ishte grushti më i madh i dhënë grupit të terrorit, që prej vrasjes së Osama bin Ladenit në Pakistan, në 2011-n.

Departamenti amerikan i Shtetit pati ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për këdo, që do të ndihmonte në nxjerrjen e al-Wuhayshit përpara drejtësisë. Njeriu përgjegjës për një sërë sulmesh me bomba, për rekrutimin e anëtarëve të rinj, si dhe shpërndarjen e burimeve të trajnimit dhe planifikimit të mësymjeve, u bë kryetar i grupit të krijuar nga shkrirja e degëve të Al Kaedës në Jemen e Arabinë Saudite në vitin 2009.

Top Channel