Basha: Me votën e 21 Qershorit të ulim taksat dhe të rikthejmë punën

16/06/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në mbylljen e fushatës elektorale në Devoll. Basha kërkoi votat për kandidatin e PD-së, Bledion Nallbati për të ndalur “të keqen dhe babëzinë qeveritare, e cila ka arritur deri aty sa të vjedhë dhe lekët e kompensimit të ilaçeve për të sëmurët”.

Basha u shpreh se, nuk është bërë asnjë investim në shërbim të qytetarëve, nuk është hapur asnjë vend i ri pune, asnjë shkollë e re dhe buxhetit të shtetit i mungojnë 150 milionë dollarë në 5 muaj.

“A e dini që vetëm në 5 muaj ju mungojnë 150 milionë dollarë në dogana e tatime? Po ku janë taksat? Pse nuk janë në arkën tonë të përbashkët, pse nuk kthehen në shkolla, kopshte, çerdhe apo rrugë? Pse nuk kthehen në subvencione për bujqësinë, pse nuk kthehen në rritje rrogash e pensionesh, pse nuk kthehen në vende pune, siç patën premtuar? Sepse janë kthyer dhe kthehen në vila, kështjella, hotele dhe luks për oligarkinë”, deklaroi Basha.

Në 21 Qershor, tha kryetari i PD-së, me votën e bashkuar, të majtë e të djathtë do t’i kthejmë vendit shpresën, duke miratuar ofertën e re që u jep zgjidhje problemeve të qytetarëve, ofron ulje taksash, ulje të çmimit të energjisë, falje të kamatë-vonesave, mbështetje për bizneset që hapin vende pune, etj.

“Se me votën tuaj, ne do të bëjmë realitet premtimet tona, ne do të ulim me 25% çmimin e energjisë, do të falim kamatë-vonesat, ne do të ulim taksat kombëtare, do të ulim çmimin e naftës me 240 lekë për litër, taksë shtesë që shtoi Edi Rama. Familjeve të pamundura shqiptare u them sot se zgjidhja e problemeve tuaja kërkon punë e përkushtim, por se me votën tuaj ne do ta nisim duke i bërë më të lira ushqimet e shportës për ju, për të bërë më të mundur mbylljen e ditës, mbylljen e muajit për ju. Nuk do të ndalemi këtu. Do të heqim taksat për bizneset që punësojnë të rinj, do të ulim taksat për sipërmarrjen që punëson, do të ulim taksat mbi të ardhurat personale për të rikthyer punën, punësimin dhe paga dinjitoze, në qendër të vëmendjes sonë”, deklaroi Basha.

Top Channel