Idrizi, në Kashar: Të ndalim ndasitë politike, të punojmë së bashku

16/06/2015 00:00

Ndasitë politike mes shqiptarëve duhet të ndalen për të punuar së bashku për një vend më të mirë. Kështu është shprehur kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi gjatë një takimi me banorët e zonës së Kasharit, në Tiranë.

“Ne kemi parë se dy partitë e mëdha politike kanë 25 vjet që janë shumë të zonjat, edhe në Parlament çdo të enjte t’i ndajnë shqiptarët në të majtë e në të djathtë. Nuk kemi nevojë për këtë sherrnajë. Më 22 qershor do të ulen flamujtë e partive politike, do të ngrihet flamuri i Shqipërisë, do të ngrihet flamuri i qytetarëve. Ne i duam të gjithë shqiptarët bashkë pa asnjë lloj dasie. Kjo është ajo çka na bën ndryshe nga të tjerët. Prandaj, ju kërkoj të votoni për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të votoni për nr. 34” u shpreh Idrizi.

Ai tha se PDIU është e vetmja parti që ka dalë me program në këto zgjedhje, duke vendosur theksin mbi krijimin e Agjencive Rajonale të Zhvillimit Ekonomik: “PDIU është partia e parë politike, që ka një program edhe për pushtetin vendor. Ne e shohim Tiranën si një metropol të madh. E shohim Tiranën të integruar nga pikëpamja bujqësore, blegtorale dhe urbane dhe kjo do t’u japë mundësi qytetarëve të Tiranës të ndihen qytetarë të dorës së parë dhe ne të kemi mundësi të hartojmë projekte nëpërmjet Agjencive Rajonale të Zhvillimit Ekonomik, por edhe shumë nga shërbimet do t’i sjellim afër qytetarëve”.

Top Channel