Basha në Kukës: Më 21 qershor të ndryshojmë drejtimin e gabuar

16/06/2015 00:00

Në Kukës, Lulzim Basha nuk e kurseu ashpërsinë politike kur foli për kandidatin e qeverisë Hasan Halili, i cili u largua nga Partia Demokratike për t’iu bashkuar LSI-së.

“Halil Meta në Kukës, që pasi shpërdoroi në skema korruptive besimin tuaj, ndryshoi xhaketën dhe u fut në strehën e fundit të maskarenjve, për të kërkuar mbrojtje politike, në shkëmbim të favoreve politike”, deklaroi Basha para simpatizantëve.

Basha, që beson se zgjedhjet lokale janë një mundësi për të detyruar qeverinë të ndryshojë politikën ekonomike, i bëri disa pyetje kryeministrit Rama, i cili thotë se opozita po mashtron qytetarët, sepse nuk mund t’i realizojë dot premtimet e veta.

“Tani, nga Kukësi, i them Edi Sudes, që ka ngritur piramidën më të madhe të mashtrimeve në historinë e shtetit shqiptar, meqë më në fund e pranove që Lulzim Basha po thotë të vërtetën siç është dhe siç e gjen tek populli, çfarë të pengon të ulësh taksat? Çfarë të pengon të ulësh çmimin e energjisë që e ke dyfish më të lartë se çdo vend tjetër në Ballkan? Çfarë të pengon të ulësh çmimin e naftës që e ke rritur me 240 lekë/litri? Çfarë të pengon t’ua bësh bukën, bukën e gojës 20% më të lirë shqiptarëve?”, u shpreh Basha.

Këtyre pyetjeve, kryetari i PD u dha vetë përgjigje. “Pse nuk bashkon dhe ti, zërin tënd me zërin tim, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve, për t’i ardhur në ndihmë popullit? Përgjigja është e qartë dhe ju e dini fare mirë. Sepse hallet tuaja nuk kanë qenë dhe nuk janë prioritet i dyshes Rama-Meta, sepse shpenzojnë më shumë energji duke sharë, gënjyer, duke ofenduar, duke kërcënuar opozitën, kandidatët dhe qytetarët, sesa duke punuar”, theksoi Basha.

Basha ftoi qytetarët që më 21 qershor të marrin pjesë masivisht në votime për të ndryshuar drejtimin e gabuar të vendit.

“Ka probleme, bjeri popullit. Arka bosh, bjeri popullit. U vodhën 150 milionë dollarë në dogana. Rrit taksat e tjera, rrit taksën e ujit, rrit qiratë, bjeri popullit, lakun në fyt, kërbaçin në dorë. Ky është drejtimi i duhur për ta. Po a është ky drejtimi i duhur për shqiptarët? A është përmirësuar jeta juaj në këto dy vite? A do ta lëmë të vazhdojë këtë të keqe, a do e ndalim këtë të keqe, a do të votojmë për të ndalur këtë të keqe? Do të votojmë të bashkuar, të djathtë e të majtë”, tha më tej Basha. 

Top Channel