Egjipt, konfirmohet dënimi me vdekje për ish-presidentin Mohammed Morsi

16/06/2015 00:00

Një gjykatë në Egjipt ka konfirmuar këtë të martë dënimin me vdekje për ish-presidentin Mohammed Morsi. Vendimi, i marë fillimisht në muajin maj, është konfirmuar pas opinionit të dhënë nga figura më e lartë fetare e vendit, Myftiu i Madh.

Dënimi me vdekje ish-liderit iu dha në lidhje me arratisjen masive të të dënuarve nga burgu në vitin 2011.

Më herët gjatë ditës, Morsi u dënua me burgim të përjetshëm për një tjetër akuzë. Ai akuzohej për spiunazh në favor të grupit islamik palestinez të Hamasit, atij libanez të Hezbollahut dhe Iranit.

Mohammed Morsi u rrëzua nga pushteti në korrik të vitit 2013, pas protestave masive në rrugët e qyteteve të Egjiptit kundër pushtetit të tij.

Aktualisht, ai po shlyen një dënim me 20 vjet burg për urdhërimin e arrestimit dhe torturimit të protestuesve gjatë kohës që ishte në pushtet.

Në seancën e së martës gjyqtari deklaroi se, Vllazëria Myslimane e drejtuar nga Morsi bashkëpunoi me lëvizjen palestineze të Hamas që militantët e saj të futeshin në kufijtë lindorë të Egjiptit dhe të sulmonin burgjet.

Mbështetësit e ish-presidentit i quajtën këto akuza një farsë.

Top Channel