Paskuqan, të shtëna me armë pranë mitingut të opozitës; Mziu akuzon PS

16/06/2015 00:00

Paraditen e së martës në Paskuqan, pjesë e Bashkisë së Kamzës, një person qëlloi me armë zjarri. Ngjarja ka marrë ngjyrime politike, sepse incidenti me armë ndodhi pranë një mitingu elektoral të kandidatit të opozitës, Xhelal Mziu.

Ky i fundit akuzoi kundërshtarët politikë se, përveç presioneve dhe kërcënimeve, tani po përdorin edhe armët.

“Ai po kërkonte të mos kalonim në këtë zonë me pretendimin se është pjesë e një subjekti tjetër politik, se nuk duhet të përziheshim me të dhe se këta banorë duhet të votojnë për Partinë Socialiste. Në bisedë e sipër, duke kërkuar me ngulm largimin tonë nga kjo lagje, ai nxorri pistoletën. Por, falë shkathtësisë së tyre, dy persona pranë meje bënë të mundur uljen e tytës së pistoletës dhe ai qëlloi në asfalt. Unë i bëj thirrje publike kryeministrit se, nuk mund t’i marrësh votat as me armë, as me thasë me miell, as me kërcënime me prishje të shtëpive e as duke i shoqëruar njerëzit në komisariat. Policia e Kamzës është kthyer në zyrë elektorale të PS”, deklaroi Mziu.

Policia e ka identifikuar personin që ka qëlluar me armë në tokë pa lënduar njeri si shtetasin Liman Lita. Deri tani, policia nuk ka bërë një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen, përveç se ka konfirmuar shpalljen e tij në kërkim. 

Top Channel