Kosovë-Serbi, grupet e punës bisedojnë për “Telekomin”

16/06/2015 00:00

Në Bruksel është mbajtur takimi i grupeve të punës për zbatimin e marrëveshjes për telekomin mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi ka zgjatur 17 orë. Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, bëri të ditur se në këtë raund të bisedimeve është biseduar për përafrimin e qëndrimeve mes palëve për çështjet e lidhura me finalizimin e planit për veprim.

Në këtë kuadër, Kosova do të marrë kodin telefonik ndërkombëtar 383 drejtpërdrejt nga ITU. Burimet nga delegacioni konfirmuan se, kërkesa në emër të Kosovës do të bëhet nga ana e Austrisë.

Po ashtu, plani për veprim parashikon që edhe çështja e bashkëpunimit në shërbimet postare mes dy shteteve të diskutohet dhe të përmbyllet deri në muajin dhjetor të këtij viti.

“Caktimi dhe marrja e kodit telefonik për Kosovën ka rëndësi të madhe, sepse Kosova do ketë një kod unik dhe të vetëm, siç e ka çdo shtet, në dallim nga situata aktuale kur në përdorim janë disa kode”, ka deklaruar ministrja Tahiri.

Më tej Tahiri ka theksuar se pjesë e marrëveshjes është edhe lejimi i përkohshëm i një kompanie të re të telefonisë në Kosovë, e cila do ketë fushëveprim të kufizuar.

Top Channel