Hollande: Athina, në limitet e kohës. Duhet të dalë me propozime konkrete

16/06/2015 00:00

Ka shumë pak kohë për ta parandaluar daljen e Greqisë nga Eurozona, deklaroi Presidenti francez Francois Hollande, i cili e bëri të qartë se topi është krejtësisht në fushën e Greqisë.

“Nuk është pozicioni i Francës t’i imponojë Greqisë shkurtimin e mëtejshëm të pensioneve, por mund t’i kërkojë të dalin me propozime konkrete për zgjidhje alternative. Ne duam ta zgjidhim këtë situatë. Duhet bërë çdo gjë është e mundur që Greqia të mbetet në zonën e euros”, tha Hollande.

Bisedimet e zyrtarëve grekë dhe kreditorëve të BE-së në Bruksel të dielën dështuan në arritjen e një marrëveshjeje, e cila të zhbllokonte fondet e dorëzanisë për Athinën.

Ministrat e Financave të Eurozonës do të takohen këtë të enjte, por shefi i Financave greke Yanis Varoufakis nuk ka ndërmend të hedhë në tryezë ndonjë propozim të ri. “Eurogrupi nuk është vendi i duhur për të paraqitur propozime, që nuk janë diskutuar dhe negociuar përpara në një nivel më të ulët”, i tha ai gazetes gjermane “Bild”.

Perspektiva e një falimentimi të vendit pas vetëm dy javësh ka mbjellë shqetësim tek investitorët. Të hënën, indeksi FTSE 100 i Londrës ra me 1.1%, Dax-i në Frankfurt humbi 1.9% dhe ai Cac 40 në Paris, 1.75%. Vetë ATG-ja e Athinës ra të premten 5.9% e të hënën, edhe 4.7% të tjera. Europa kërkon nga Greqia shkurtim të shpenzimeve në vlerën 2 miliardë euro në mënyrë që t’u hapë portat fondeve të dorëzanisë.

Athinën e bllokon në cepin e ringut detyrimi për t’i shlyer FMN-së 1,5 miliardë euro borxh deri në fund të qershorit dhe i vetmi premtim që u bën kreditorëve për të marrë paketën 7 miliardë euroshe të ndihmës, janë reformat e mëtejshme ekonomike.

Top Channel