Kaliforni, shembet një ballkon në Berkli; 5 të vdekur e 8 të plagosur

16/06/2015 00:00

Një ballkon është shembur në një apartament në Berkli të Kalifornisë, ditën e martë, duke u marrë jetën disa personave dhe plagosur disa të tjerë.

Sipas raportimeve të mediave amerikane online, të cilat citojnë burime policore, 5 persona janë vrarë dhe 8 të tjerë rezultojnë të plagosur në këtë ngjarje.

Oficerja Jennifer Coats, e policisë lokale, ka deklaruar se shumë nga personat e plagosur janë në gjendje kritike dhe rrezikojnë jetën.

Ngjarja ndodhi pas mesnatës në një pallat fare pak larg kampusit të Universitetit të Kalifornisë në Berkli. Ballkoni ndodhej në katin e fundit të një pallati 4-katësh, i cili në katin e parë ka dyqane dhe lokale.

Deri tani autoritetet kanë dhënë pak detaje lidhur me ngjarjen, apo për personat e vrarë e ata të plagosur.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Irlandës ka konfirmuar se mes viktimave ka shtetas irlandezë, edhe pse emrat e tyre nuk janë publikuar ende.

Top Channel