Rusia i kundërpërgjigjet SHBA-ve: Lëvizja më agresive nga Lufta e Ftohtë

16/06/2015 00:00

Moska priti pak, por nuk vonoi t’u përgjigjej raporteve se Shtetet e Bashkuara mund të stacionojnë armatime të rënda dhe mijëra ushtarë në vendet balltike, si masë paraprake ndaj çdo agresioni të mundshëm të fqinjit të tyre të madh.

Lidershipi rus nuk do ta pranojë duarlidhur shtimin e pranisë ushtrarake amerikane në lindje të Europës. Në rastin e një skenari të tillë, Rusisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të përforcojë edhe ajo trupat ushtarake dhe burimet që ka në krahun perëndimor, – tha zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes, gjenerali Juri Jabukov.

Jabukov citohet nga Agjencia e Lajmeve Interfax duke e përshkruar armatimin e planifikuar në kufi si “lëvizjen me agresive” të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që prej fundit të Luftës së Ftohtë.

Nga detajet e ofruara në shtypin vendas rezulton se përgjigja e Moskës, ka gjasë të përmbajë stacionimin e raketave Iskandar në enklavën e Kaliningradit dhe shtimin e trupave ruse në Bjellorusi. Ajo çfarë ne kemi në dorë, sqaroi Jabukov, është organizimi i kundërmasave, në mënyrë që ta mbrojmë sa më mirë kufirin tonë.

Mediat ndërkombëtare raportuan këtë fundjavë se Pentagoni është i gatshëm të dërgojë tanke lufte, autoblinda e armatime të tjera të rënda si dhe 5000 ushtarë në disa prej aleatëve të Uashingtonit në Europën Lindore. Sipas “New York Times”, pajisjet ushtarake amerikane mund të zhvendosen në Estoni, Letoni, Lituani, Poloni, Rumani, Bullgari e mbase edhe në Hungari. Kjo do të përbënte të parën herë në dekada të tëra që Amerika dërgon armatime si tanket luftarake në shtetet më të reja të aleances veri-atlantike, që më parë kane qenë pjese e sferës së ndikimit të Bashkimit Sovjetik.

Për ta vënë në jetë planin e tij, Pentagonit i nevojitet drita jeshile e Shtëpisë së Bardhë, të cilën shpreson ta marrë deri në takimin e ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, që do të mbahet në fund të qershorit në Bruksel.

Top Channel