BE: Monitorim të rreptë zgjedhjeve. Shënime, për çdo rast shitblerjeje të votës e votime kolektive

16/06/2015 00:00

Shefja e diplomacisë europiane në Tiranë, Romana Vlahutin, nga Shkodra ka paralajmëruar një monitorim rigoroz, përfshirë denoncimin pa asnjë mëdyshje nëse provohet me fakte se në 21 Qershor do të ketë shit-blerje të votave.

“Gjatë këtyre 9 muajve që unë kam në Shqipëri kam kuptuar se fjalët përhapen shpejt. Njëra prej tyre mund të jetë edhe blerja e votës, presioni për të votuar në njërën mënyrë apo në tjetrën, duke ofruar vende pune nëse votohet për dikë, apo mënyra të tjera. Mendoj se e gjitha kjo është ofenduese për qytetarët. Ndërkohë, një tjetër aspekt që ne jemi duke punuar dhe duke e kundërshtuar është votimi familjar. Ne po monitorojmë nga afër gjithçka që lidhet me këto zgjedhje dhe gjithçka do të jetë pjesë e progres-raportit dhe do të keni mundësinë të na gjykoni nëse jemi treguar të drejtë ose jo. Përgjegjësia ndodhet këtu në vend, jo tek një aktor i huaj. Blerja e votës është kriminale. Nuk është diçka e sofistikuar, është thjesht një krim. Është e papranueshme. Ajo që duhet të bëjmë është ta vërtetojmë. Ne nuk mund të reagojmë në bazë të thashethemeve. Në rast se ka prova, atëherë ato do të jenë në raport, i cili do të flasë për cilësinë e zgjedhjeve”, deklaroi Vlahutin.

Vlahutin u tregua e kujdesshme kur foli për kandidatët e inkriminuar. “Ende nuk ka një legjislacion që të na tregojë qartë se kush mund të kandidojë në postet e zyrtarëve publikë e kush jo. Por mendoj se kjo më shumë se çdo gjë tjetër është një obligim personal ndaj njerëzve që ju i kërkoni votën. Ne, këtë problem e kemi nxjerrë duke provokuar shumë debate për këtë çështje, e cila është mjaftë e nxehtë në vend. Besoj se do të shikojmë rezultatin e parë në legjislacion, i cili do ta bëje shumë të qartë se kush mund të kandidojë për poste publike. Jo vetëm kaq, por edhe për ata persona të cilët mund të jenë skeptikë dhe dyshues për kandidatët dhe të marrin më shumë informacion për ta. Sepse besoj se ju nuk do të donit të zgjidhnit kandidatë që kanë bërë gjëra në kundërshtim me ligjin”, tha Vlahutin.

Ambasadorja e BE-së shpjegoi përse diplomatët e huaj nuk bënë publikë emrat e kandidatëve të dyshuar me të shkuar kriminale.

“E di që ka patur pritshmëri nga ambasadorët në bërjen publike të emrave të tyre. Por kjo thjesht nuk është e mundur sepse ne këtu jemi thjesht ambasadorë dhe jo të zgjedhur për të qeverisur Shqipërinë. Ne mund të ndihmojmë duke thënë se në lista mund të ketë kandidatë problematikë, por përgjegjësia direkte bie mbi partitë politike, agjencitë ligjzbatuese, gazetarët, atyre investigativë dhe organizatave joqeveritare. Dhe në fund të fundit, e juaja që të gjeni informacion se kush janë këta persona”, tha Vlahutin.

Këto komente ambasadorja Vlahutin i bëri nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, gjatë një bashkëbisedimi me studentët, të cilëve u tha se ajo së bashku me bashkëpuntorët e saj do të jetë në krye të vëzhgimit të zgjedhjeve në qytetin e Shkodrës të dielën e 21 Qershorit.

Top Channel