Ish-luftëtarët e UÇK-së, protestë kundër Gjykatës Speciale

16/06/2015 00:00

Organizatat që përfaqësojnë luftën e UÇK-së në Kosovë do të protestojnë të mërkurën kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ftoi qytetarët t’i bashkohen kësaj proteste, që do të fillojë në orën 12:00, në sheshin kryesor të Prishtinës. Ai kërkoi edhe njëherë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të mos e votojnë Gjykatën Speciale, pasi – sipas tij, – në këtë mënyrë dëmtohet lufta e UÇK-së për liri.

“Duhet të kundërshtojmë fuqishëm edhe formimin e Gjykatës Speciale, pasi mendojmë që është shumë e dëmshme jo vetëm për luftën, por edhe për vetë institucionet. Kjo, sepse mbivendos autonominë, shtetësinë e drejtësinë në Kosovë. Ndaj dhe mendojmë, që ne duhet t’i fuqizojmë organet e drejtësisë, që kemi këtu”, tha Xhavit Jashari, kryetar i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së.

Në këtë konferencë për mediet, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të organizatave studentore të Universitetit të Prishtinës, në përkrahje të protestës.

Nëpërmjet komunikatave, edhe subjektet opozitare “Vetëvendosje” dhe “Nisma për Kosovën” i dhanë përkrahjen e tyre kësaj proteste.

Në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se, “themelimi i Gjykatës Speciale, përveç se krijon një sistem paralel të drejtësisë në Kosovë, pa asnjë llogaridhënie ndaj institucioneve të Kosovës, ajo tenton të shtrembërojë të vërtetën historike, duke e gjykuar luftën tonë çlirimtare”.

Edhe “Nisma për Kosovën” konsideron se, “ndryshimet kushtetuese, që po i përgatiten Kosovës, rrënojnë sovranitetin e vendit, sovranitet i fituar pas flijimeve të shumta, për çka kishim edhe një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Top Channel