KLD nuk zbaton vendimin e Kushtetueses, ish-inspektori: Nuk më kthejnë në punë

16/06/2015 00:00

Pasi e larguan nga puna në 2008-n, në vitin 2013 ai fitoi edhe në Gjykatën Kushtetuese të drejtën për t’u rikthyer në detyrë.

Por institucioni që në fakt kontrollon zbatimin e ligjit nga gjyqtarët, prej një viti nuk i bindet pikërisht një vendimi gjyqësor siç është ai i Kushtetueses.

“Nuk e di sa herë i kam ngjitur shkallët, që në vitin 2008 kur fitova një vendim të formës së prerë në Apel, nuk mund ta përcaktoj sa herë jam ngjitur në këto shkallë, por di një gjë që KLD, si një organ që kontrollon zbatimin e vendimeve të gjykatës, është paradoks të mos zbatojë një vendim të gjykatës të formës së prerë”, thotë Kudret Kopo, ish-inspektor i KLD-së.

Pas këmbënguljes për të fituar gjyqin dhe zbatimin e vendimit të tij, Kudreti ka vendosur të ndërmarrë edhe një formë të re proteste; i vetëm kundër qëndrimit të KLD-së.

“Do ngujohem këtu”.

Kur?

Nesër në mëngjes, nuk mundem më, jam i lodhur. Unë nuk do thyej as xhama, as dritare por do të protestoj. Kam një vendim të Gjykatës Kushtetuese që duhet zbatuar. Ky vendim është ligj dhe me ligjin nuk tallet askush”.

I kontaktuar nga Top Channel, zëdhënësi i KLD-së reagoi nëpërmjet këtij njoftimi për mediat, ku edhe shpjegon se ish-inspektori Kudret Kopo nuk ka ushtruar asnjë ditë detyrën pas dhënies së vendimit të formës së prerë nga Apeli, kjo pasi, sipas zyrës së shtypit, pas shkarkimit të tij nuk ka patur vende vakante në KLD.

Por zëdhënësi Kuçi shton se për periudhën 2008-2012, KLD është shprehur e gatshme të zbatojë vendimin e gjykatave, duke i paguar Kopos edhe shumën e pagave që i detyrohej për këtë periudhë, prej gati 5 milionë lekë.

Moszbatimi i vendimeve të gjykatave për t’u rikthyer në punë është një problem i hasur shpesh në gjykata, pasi pala fituese gjithmone detyrohet të hapë procese shtesë urdhër-ekzekutimi, duke kërkuar edhe ndihmën e Përmbarimit. Statistikat tregojnë se për vitin 2014, 4607 shtetas iu drejtuan Gjykatës së Apelit Adminstrativ me padi “marrëdhënie pune” e me palë të paditur institucionet shtetërore, ndërkohë që për vitin 2015, kanë dorëzuar padi të njëjta 1460 persona.

Top Channel