Italia kërcënon BE-në për azilantët: Të ndahen, ose i pajisim me viza për të shkuar ku të duan

16/06/2015 00:00

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian përgatiten të diskutojnë në Bruksel përgjigjen ndaj krizës së emigrantëve në detin Mesdhe, në sfondin e kërcënimeve të Italisë për reagim të ashpër të saj, në rast se nuk arrihet një marrëveshje.

Boshtin e bisedimeve e përbën plani i një shpërndarjeje më proporcionale të azilkërkuesve në të 28 vendet anëtare të bllokut. Ngërçi i krijuar sidomos muajt e fundit i ka vënë në vështirësi të mëdha autoritetet e Italisë, Greqisë dhe Maltës, 3 vendet e përballura me valën e parë të klandestinëve të mbërritur nga Afrika Veriore.

Por zgjidhja nuk është e lehtë. Disa anëtarë të BE-së, përfshirë këtu Gjermaninë dhe Austrinë, e mbështesin idenë e shpërndarjes së 60 mijë azilkërkuesve në të paktën 25 vende të bllokut; të tjerë argumentojnë se emigrantët nuk duhen dërguar në shtete, ku ata nuk kanë dëshirë të qëndrojnë.

Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda janë tërhequr që në fillim nga e ashtuquajtura “skemë e kuotave”. Më shumë se 1.800 emigrantë kanë gjetur vdekjen në Mesdhe këtë vit, shifër kjo 20 herë më e lartë se ajo e regjistruar në të njëjtën periudhë të 2014-s. Shumica e tyre ishin nisur në lundrim nga brigjet e Libisë, me anije të vjetra e të tejmbushura.

Italia, që mban peshën kryesore të fluksit të të mbërriturve, është përfshirë ditët e fundit dhe në një sherr të hapur me Francën, për shkak të 200 emigrantëve afrikanë të bllokuar në qytetin kufitar të Ventimiglias. Parisi e akuzon Romën se nuk ka respektuar rregullat europiane të azilit; qeveria italiane argumenton se refugjatët e shohin Italinë thjesht si vend tranziti.

Kryeministri Matteo Renzi ka kaluar në paralajmërimë të qarta se, po nuk u prodhua një marrëveshje e drejtë në Bruksel, atëherë vendi i tij do të kalojë në planin B, që është lëshimi i vizave të përkohshme, të cilat do t’u lejojnë emigrantëve të udhëtojnë lirshëm, falë rregullave të “Schengen”-it në vende të tjera europiane përtej Italisë.

Top Channel