Gjykata Speciale, OSBE kërkon të miratohet në Kuvend. Politikanët, të ndarë

16/06/2015 00:00

Edhe pse Bashkimi Europian nuk i ka pranuar kërkesat e Kosovës për ndryshime të projektligjit të Gjykatës Speciale dhe pavarësisht qarkullimit të një versioni rus të miratimit të saj në OKB, ende nuk dihet data, apo nëse kjo gjykatë do të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Kjo zvarritje po i shton zërat e përfaqësuesve ndërkombëtare, që nxisin për votimin e saj pa vonesë.

Ambasadori i OSBE-së në Prishtinë ka deklaruar të martën se, Kosova nuk duhet ta vonojë krijimin e Gjykatës Speciale, ndërsa tha se nuk mund ta dijë sa dëme do të ketë Prishtina zyrtare, nëse nuk e bën këtë.

“OSBE nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces. Kjo ka të bëjë me Bashkimin Europian dhe EULEX-in. Por, këtë rast e konsiderojmë të rëndësishëm. Mendoj se do të jetë i rëndësishëm themelimi i gjykatës, sepse do t’u japë fund pretendimeve për Kosovën. Tani ka vonesa, për arsye që unë nuk mund t’i analizoj dhe që janë politike. Gjithashtu nuk mund t’i komentoj dëmet, sepse ne nuk i dimë sesa të mëdha janë ato dëme. Qartësisht mendoj se, themelimi i gjykatës do të ishte gjë e mirë”, tha Jean Claude Schlumberger, ambasador i OSBE-së në Kosovë.

Teksa udhëheqësit heshtin, deputetët kosovarë vazhdojnë të përsërisin qëndrimet e tyre të kundërta.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se, Kosova duhet të dëgjojë aleatët e saj dhe të miratojë gjykatën, pasi – sipas tij, – shtetet si Rusia do të përdorin fuqitë në OKB për ta formuar njëanshmërisht Gjykatën Speciale.

“Nëse Rezoluta 1244 vlen ende për ata, sigurisht kanë të drejtë të themelojnë një gjykatë të tillë, apo kanë të drejtë të marrin edhe masa të tjera”, tha deputeti Zemaj.

Deputetja opozitare, Donika Kadaj-Bujupi tha se, nëse Kosova e miraton Gjykatën Speciale, ajo heq dorë nga sovraniteti.

“Nuk jemi pro asaj, që të bëhet nga OKB-ja, mirëpo konsiderojmë, që Kosova ka mekanizma të mjaftueshëm dhe nuk guxon të heqë dorë nga sovraniteti i saj, për asnjë çmim”, tha ajo.

Aktualisht, Kuvendi i Kosovës është në pritje të kabinetit qeveritar, i cili duhet të miratojë projektligjin për Gjykatën Speciale, e pastaj bashkë me amendamentet kushtetuese duhet të votohen nga deputetët kosovarë.

Top Channel