Lëvizja për reforma në PDSH, nëpërmjet një konference për shtyp ka reaguar lidhur me punësimin e 106 mjekëve në ish-Spitalin Ushtarak në Shkup, mes të cilëve nuk ka asnjë shqiptar.

“Kësaj here i erdhi radha spitalit të Shkupit të bëjë punësime mbi baza etnike, kështu që, nga 106 mjekë të punësuar, nuk ka asnjë shqiptar mes tyre”, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.

Sipas kësaj lëvizjeje, me këtë akt është shkelur edhe njëherë parimi për përfaqësimin e drejtë institucional të shqiptarëve.

“Ju kujtojmë se, përfaqësimi i drejtë dhe institucional i shqiptarëve është kategori kushtetuese”, vlerësojnë nga Lëvizja për reforma në PDSH.

Lëvizja për reforma në PDSH bën të ditur se BDI është bërë prè e bizneseve të disa individëve, ndaj edhe nuk e interesojnë më as thyerjet apo shkeljet e kategorive kushtetuese, që dëmtojnë shqiptarët.

“Nuk e kemi të qartë sesi është e mundur, që dy politikanë shqiptarë – tashmë me legjitimitet të humbur – vazhdojnë të mbështesin këtë qeveri, duke mos menduar për pasojat, të cilat ia shkaktojnë popullit të vetë”, thuhet në këtë komunikatë.

Top Channel