Rusia tremb Perëndimin me arsenalin bërthamor, gati 40 raketa që penetrojnë sistemet mbrojtëse

16/06/2015 00:00

Përveç rritjes së përqendrimit të ushtarëve dhe armatimeve të rënda në Perëndim, Rusia do të përforcojë edhe programin e saj bërthamor duke e pasuruar me 40 raketa ballistike ndërtkontinentale.

Presidenti Vladimir Putin deklaroi në një takim me ushtarakët e lartë rusë se këto raketa do të jenë gati brenda vitit 2015-së, e për më tepër do të jenë në gjendje që të tejkalojnë edhe sistemet më moderne anti-raketë.

Ky vendim i Moskës, së bashku me atë për të rritur prezencën ushtarake në zonën e Balltikut dhe në gjithë vijën Perëndimore, mbërrin pas planeve amerikane për të rritur prezencën ushtarake në vendet e NATO-s në Europën Lindore.

Tensionet mes NATO-s e Perëndimit në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër, u përshkallëzuan pas aneksimit të Krimesë prej kësaj të fundit, por më së shumti pas konfliktit të armatosur në Ukrainën Lindore. Perëndimi akuzon Kremlinin se mbështet me trupa dhe armatime rebelët në këtë rajon, akuzë që Moska e hedh poshtë duke pretenduar se rusët e vrarë apo të zënë rob në këtë pjesë të Ukrainës, kanë vajtur si vullnetarë.

Sipas BBC, 40 raketat nuk do t’i shtohen arsenalit bërthamor aktual. Ato do të zëvendësojnë 40 raketa të një teknologjie më të vjetër, të cilat nuk tejkalonin sistemet anti-raketë.

Nga ana tjetër, zyrtarët rusë kanë paralajmëruar Perëndimin se nuk do të qëndrojnë duarkryq teksa Shtetet e Bashkuara planifikojnë të zhvendosin armatime të rënda në Lindje të Europës, përfshirë këtu edhe tek vendet e Balltikut, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik.

“Ka një ndjesi se kolegët tanë të NATO-s po në shtyjnë drejt një gare armatimi”, deklaroi për agjencinë RIA, zv.ministri i Mbrojtjes, Anatoly Antonov.

Në kulmin e tensioneve me Perëndimin, analizon Jonathan Marcus, korrespondent i BBC për çështjet diplomatike, Vladimir Putin është mburrur me rinovimin e teknologjisë ushtarake, sidomos asaj nukleare në vendin e tij.

Pjesërisht kjo shihet si një pasqyrim i dobësimit të vazhdueshëm të Rusisë, sa i përket asaj që njihet si fuqia konvencionale. Moska është në mes të një procesi modernizimi të arsenalit të saj bërthamor me raketa ballistike të teknologjisë së fundit, avionë bombardues modernë dhe nëndetëse të reja.

Në gjithë këto vite, arsenali ushtarak i konsideruar i vjetër po tërhiqet nga shërbimi, përfshirë këtu raketa, nëndetëse, luftanije dhe avionë. Kjo tregon një dobësim në arsenalin e përgjithshëm ushtarak rus.

Por nuk është kjo ajo që alarmon Perëndimin. Perëndimi i trembet arsenalit bërthamor dhe kërcënimeve për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër veprimi në Krime, që do të kërcënote drejtpërdrejtë vende anëtare të NATO-s, si Rumania, ku është i vendosur një sistem mbrojtës raketor.

Top Channel