Kupa e Amerikës, “zgjohet” Bolivia ndërsa Kili barazon 3-3 me Meksikën

16/06/2015 00:00

Ndeshjet e dyta në grupe të Kupës së Amerikës kanë dhuruar jo vetëm gola të shumtë, por edhe surpriza. Pas barazimit 0-0 me Meksikën, në takimin e parë, Bolivia duket se është zgjuar dhe në përballjen e dytë arrin të mposhtë Ekuadorin 3-2.

E nisi vrullshëm në pjesën e parë, kapiteni Raldes zhbllokon rezultatin pas vetëm 4 minutash, dyfishon më pas Dalence në minutën e 17, e më pas Quinonez i pret 11-metërshin Valencias, që në fakt ishte përsëritur më herët nga gjyqtari, pasi në tentativën e parë kishte shënuar. Vetëm 5 minuta më vonë, Moreno nuk gabon 11-metërshin e akorduar për bolivianët. Pjesa e dytë thuajse ishte e parashikueshme që Ekuadori do të luftonte për “jetë a vdekje”, ndaj dhe Valencia e Bolanos shkurtojnë distancën e golave, por Noboa nuk shkon më shumë sesa goditja e traversës, në atë që mund të konsiderohej si goli i barazimit…

Me këtë fitore, Bolivia ngjitet në krye të grupit me 4 pikë, po aq sa edhe Kili organizator i turneut, që pasi fitoi 2-0 në ndeshjen hapëse të Kupës së Amerikës barazon 3-3 me Meksikën.

Vendasit u shfaqën me dy fytyra, patën shumë nisma në sulm, por po aq dështime në mbrojtje, pikërisht prej kundërsulmeve. Në pjesën e parë, Meksika shënoi dy herë me anë të Vuoso dhe Jimenez, por po aq herë iu kundërpërgjigj Vidal e Vargas. Në golin e parë, goditje me kokë për lojtarin e Juventusit, si të ishte sulmues, ndërsa në golin e dytë një asist tepër të saktë për shokun e tij të skuadrës.

Me të filluar pjesa e dytë, mesfushori i Juves shënon një tjetër gol, këtë herë me penallti, por Vuoso i Meksikës gjen sërish rrugën e rrjetës për të barazuar 3-3. E megjithatë, një përpjekje e fundit u bë me anë të Sanchezit, i cili shënoi golin e fitores, por iu anulua për shkak të një pozicioni të dyshimtë të parregullt.

Top Channel