Qershori mund të jetë muaji i fundit i Greqisë në Eurozonë. Edhe një tjetër herë dështuan bisedimet në Bruksel, midis përfaqësuesve të huadhënësve ndërkombëtarë dhe atyre të qeverisë greke. Ndërsa presioni kohor po shtohet, mirëkuptimi për taktikën e negociatave të Greqisë po bie.

Situata dramatike pranohet edhe nga zyrtarët më të lartë europianë. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, thotë se drama e situatës greke nuk do të thotë se, përgjegjësinë për të e mbajnë të tjerët. Edhe Presidenti francez, Francois Hollande, paralajmëron se “duhet të zhvillohen sërish negociata dhe me shpejtësi, sepse tani afatet për Greqinë janë shumë të shkurtra”.

Gjëra të ngjashme dëgjohen edhe nga Berlini. Ndërkohë, Alexis Tsipras duket se ka kohë mjaftueshëm në dispozicion dhe, në një intervistë për një gazetë greke, thotë se do të presë me padurim, derisa institucionet të kalojnë në një “pozicion më realist” dhe se nuk mund të vrasin demokracinë, në tokën ku ajo lindi.

Kryeministri grek zhvillon prej 5 muajsh negociata me kreditorët, Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, me shpresën për të siguruar një ndihmë prej 7.2 miliardë eurosh.

Por çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim, që mund të jenë të fundit për Greqinë në zonën e Euros?

* Më 18 qershor, vendet anëtare të Eurogrupit mblidhen në Luksemburg, e sigurisht që tema kryesore është situata greke.

* Më 19 qershor, Greqia duhet të paguajë këstin e kredisë prej 343 milionë eurosh ndaj FMN-së.

* Po në këtë ditë, Greqia i detyrohet 85 milionë euro Bankës Qendrore Europiane, për obligacionet e blera nga kjo bankë.

* Gjithashtu, më 19 qershor është planifikuar një takim i ministrave të Financave të Bashkimit Europian.

* Shpresa e fundit për Greqinë është samiti i udhëheqësve europianë në Bruksel, më 25 dhe 26 qershor.

* Më 30 qershor, Greqia duhet të paguajë 1.5 miliardë euro paga dhe pensione.

* Në këtë datë skadon edhe marrëveshja e huadhënies mes kreditorëve dhe Greqisë.

* Deri në fund të datës 30 qershor, Greqia duhet të paguajë të gjitha detyrimet ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, ose përndryshe ajo falimenton.

A do të jetë ky, divorci i Greqisë me Eurozonën? Dilema vazhdon edhe për 14 ditë…

Top Channel