Fier, Alibeaj: Tregtarët drejt falimentit, të reagojnë me votë

16/06/2015 00:00

Gjatë takimeve me banorë të lagjeve të ndryshme të qytetit të Fierit, kandidati demokrat për kryebashkiak, Enkelejd Alibeaj, ka prekur disa prej shqetësimeve me të cilat përballen qytetarët fierakë, e mbi të gjitha me problemet e tregtarëve të vegjël.

Sipas selisë blu, teksa banorët e lagjeve “15 Tetori” dhe “Afrim” shprehin mbështetjen për kandidatin Alibeaj, tregtarët tregojnë se janë buzë falimentit për shkak të rënies së fuqisë blerëse. “Po mbyllim dyqanet, sepse listat e borxheve na mbetën në sirtar. Familjet nuk kanë me se të paguajnë, ndërsa ne nuk kemi si t’ua marrim paratë që na kanë borxh”, kanë thënë disa tregtarë.

Alibeaj, nga ana e tij, theksoi se kjo situatë rezulton e njëjtë kudo, në fshatra apo lagje të qytetit të Fierit, ndaj dhe e vetmja gjë që mund të bëhet është reagimi i qytetarëve me votë, si mekanizmi i vetëm demokratik në shërbim të shoqërisë, për të ndëshkuar keqqeverisjen socialiste.

“U bënë afërsisht dy muaj, që jemi në fushatë. Dy muaj, që takoj njerëz me të njëjtat probleme, që shoh dëshpërimin, varfërinë, papunësinë në çdo fshat dhe lagje të qytetit të Fierit. Minimalisht, ata duhet të kërkojnë ndjesë përpara se t’u kërkojnë votën fierakëve. Kjo mungesë reflektimi nga të  majtët është fyese. A kanë ardhur t’iu thonë se ndihen në faj për kaq vite braktisjeje nga pushteti vendor, që drejtohej prej tyre? Jo, nuk e kanë bërë këtë, dhe kjo është fyese, sepse ata iu trajtojnë sikur të ishit njerëz pa dinjitet dhe pa sens reagimi. Lëri pa gjë, se të votojnë gjithsesi. Kjo është politika e tyre”, është shprehur Alibeaj.

Top Channel