Basha: Fieri, jo një serbator votash për arrogantët. Më 21 Qershor t’i ndëshkojmë

16/06/2015 00:00

Fieri njihet si bastion i së majtës, por për Lulzim Bashën, sjellja e mazhorancës me këtë qytet dhe qytetarët e Fierit tregon arrogancë, që sipas tij do të marrë fund më 21 Qershor.

“E konsiderojnë Fierin një serbator.Vijnë me arrogancë dhe ju thonë që bëjmë si duam dhe prap ju kemi në xhep. Por më 21 Qershor do t’i përgjigjet Fieri, Patosi, Roskoveci dhe gjithë Shqipëria”, tha Basha.

Ky ishte mitingu përmbyllës i Lulzim Bashës në Fier. Edhe këtu ai u mëshoi atyre që i quajti “premtime të pambajtura të mazhorancës së majtë”.

“Premtuan 300 mijë vende pune, por nuk hapën asnjë, por mbyllën mijëra e mijëra vende. Premtuan se 97 për qind prej jush do paguajnë taksa më të ulta, por i rritën si për të djahtët edhe për të majtë. Rritën taksat dhe nuk ulën borxhin ashtu siç premtuan”, tha Basha.

Sipas kreut të demokratëve dyshja Rama-Meta, ka një agjendë tjetër nga ajo e qytetarëve.

“Mendojnë vetëm për pushtetin e tyre, mendojnë vetëm për sundimin e tyre, mendojnë vetëm e vetëm për pasurimin e tyre në kurrizin tuaj dhe taksave që paguani çdo ditë”, u shpreh kreu i PD.

Basha tha se me Alibeajn Partia Demokratike dhe opozita u ofron fierakëve njeriun e punës dhe njeriun e ndershëm, e bashkë me të edhe zotimin për të mos rritur, por për të ulur taksat.

Nga ana e tij, kandidati Alibeaj u zotua se më 21 Qershor do të çlirohet qyteti nga aferat korruptive, ku sipas tij, është zhytur prej vitesh nga drejtimi i Partisë Socialiste.

Top Channel