“Vringëllima e shpatave” nga Rusia, Stoltenberg: Destabilizuese dhe e rrezikshme

16/06/2015 00:00

Replikat në distancë mes Rusisë dhe Perëndimit vazhdojnë. NATO, jo vetëm e kritikoi ashpër planin e Moskës për zgjerimin e arsenalit bërthamor, por sinjalizoi për më tepër se nuk do të qëndrojë duarkryq, por do të japë përgjigje.

Vetë Vladimir Putin e bëri të ditur të martën, në hapjen e panairit ushtarak në Kubinka se, deri në fund të vitit, armatimeve atomike ruse do t’u shtohen edhe 40 raketa të reja ndërkontinentale.

Raketa të tilla janë në gjendje të kalojnë edhe sistemet më moderne të mbrojtjes kundërajrore. Njoftimi i Putinit erdhi në të njëjtën kohë, me akuzat e lëshuara nga zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Anatoli Antonov, se me veprimet e saj, aleanca atlantiko-veriore po e detyron Rusinë të hyjë në një garë të re armatimi.

Nuk vonoi as reagimi i krahut tjetër. Vringëllimi i shpatave nga ana e Rusisë është “i pajustifikueshëm, destabilizues dhe i rrezikshëm”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një takimi me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

“Ky vringëllim shpatash i Rusisë është i pajustifikueshëm, – tha ai. – Është destabilizues dhe i rrezikshëm. Megjithatë është diçka që ne do ta adresojmë, por është gjithashtu edhe një prej arsyeve, përse jemi duke rritur gatishmërinë dhe përgatitjen e forcave tona”. “Ne do t’i përgjigjemi Rusisë, duke siguruar se NATO, edhe në të ardhmen do të mbetet një aleancë, e cila ofron masa parandaluese dhe mbrojtëse për të gjithë aleatët e saj, kundrejt çdo kërcënimi”, tha Stoltenberg.

Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s do të takohen javën e ardhshme në Bruksel, për të diskutuar plane të tjera. Shefi i Pentagonit, Ashton Carter, pritet t’u japë të dhëna të reja homologëve të tij, mbi strategjitë më të fundit të organizatës.

Gjatë fundjavës u mësua se Shtetet e Bashkuara kanë në plan dërgimin e armatimeve të rënda dhe trupave ushtarake në disa vende të Europës Lindore.

“Nuk kemi mundësi tjetër, veçse të kërkojmë përkrahje”, është shprehur ministri lituanez i Mbrojtjes, Jouzas Olekas, i cili i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se, duke mos vepruar, vendi i tij praktikisht i bën ftesë një agresioni nga Rusia.

Top Channel