Rama: PD, një trupë cirku. Flet palidhje për 21 Qershorin

16/06/2015 00:00

Në Pogradec, Edi Rama falenderoi qytetarët e zonës për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë së majtës dhe u ndal tek kandidati i propozuar nga opozita.

“Ky kandidati që ka dalë nga PSD në emër të PD, pasi nuk mori dot vulën e LSI-së kundër Dianës, u tregon njerëzve telefonin sikur merr mesazhe nga unë. Ç’janë këta?! Ku i ka gjetur PD këta njerëz?! Ç’është ky hall që ka gjetur PD, por na ka gjetur edhe ne me PD?!”, tha Rama.

Kryeminstri tha se është e pamundur të shmangesh komentet mbi kandidatët e demokratëve. 

“Është e pamundur! Në Sarandë kanë vendosur një borizan, në Konispol një saldator, në Krujë një me shkollë të lartë, por pa shkollë fillore. Ndërsa këtu qënka njëri që ka mbaruar ekonomikun, por qënka mashtrues. Si ka mundësi që u thotë njerëzve, ja telefoni, më çoi Edi Rama mesazh?! Si ka mundësi që u thotë njerëzve që jam me ju dhe do vij me ju, sapo të mbarojmë punë me PD?!”, tha ai.

Më tej kryeministri iu rikthyer fushatës së ndërmarrë nga opozita.

“PD vjen vërdallë nëpër Shqipëri si trupë cirku me një fushatë, më e turpshmja që është zhvilluar ndonëjherë në Shqipëri. Më 21 Qershor janë zgjedhje për qeverisjen vendore, nuk janë zgjedhje, as për Parlamentin, as për Qeverinë, as për partitë në Tiranë. Fushata e PD është e turpshme sepse flet për gjëra që janë palidhje fare me 21 Qershorin”, shtoi ai.

Top Channel