Sekuestrohen 10 mln euro pasuri, dyshohen me prejardhje kriminale

16/06/2015 00:00

Pasditen e së martës, Policia e Shtetit ka bërë të ditur përmes një komunikate për mediet se, është realizuar ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të shtetasit Astrit Nimani, banues në Lezhë, të cilat kapin një vlerë tregu rreth 10 milionë euro.

Policia shton se veprimet e fundit vijnë në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2013, të regjistruar për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, e të ndjekur me metoda proaktive për një periudhë njëmujore nga Sektori për Krimin Ekonomik-Financiar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Pronat e paluajtshme të sekuestruara të shtetasit Astrit Nimani kapin një sipërfaqe të përgjithshme prej 25 mijë metrash katrorë, teksa Policia e Shtetit ka bërë edhe specifikimet e mëposhtme të tyre:

Një “Hotel-Bar-Restorant” 5-katësh, me sipërfaqe 7940 m2, e ndodhur në qytetin e Shëngiinit; një godinë 13-katëshe, sërish në Shëngjin, me sipërfaqe 5000 m2, ku ndodhen 65 apartamente banimi, njësi tregtare dhe garazhe parkimi; një tjetër godinë 13-katëshe në Shëngjin, me sipërfaqe 6500 m2, ku ndodhen 65 apartamente banimi, njësi tregtare dhe garazhe parkimi; si dhe një godinë 10-katëshe, me sipërfaqe 9500 m2, që përfshin 90 apartamente banimi, njësi tregtare dhe garazhe parkimi.

Siç njofton policia, këto pasuri dyshohen se janë produkte të veprimtarisë kriminale, të kryera nga shtetasi Astrit Nimani, i cili është arrestuar më 15 nëntor 2013 në Serbi, ndërsa më 20 dhjetor të po atij viti është ekstraduar drejt Italisë, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Roma. Kjo pasi, Gjykata e Apelit e Milanos në Itali, e ka dënuar më 26 nëntor të vitit 2009 shtetasin Nimani me 7 vite heqje lirie, për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.

Top Channel