Veliaj: Një votë na ndan nga ndryshimi i madh. Dilni masivisht në votime

16/06/2015 00:00

Nga Amfiteatri i Liqenit Artificial, Erion Veliaj iu drejtua banorëve të Njësive 5 dhe 10, në takimin përmbyllës vetëm 5 ditë përpara zgjedhjeve, duke rikujtuar arsyet se përse ai është në këtë garë.

“Unë jam në këtë garë për çdo banor të Njësisë 10 e asaj 5; për çdo familje, që dëshiron të ketë një shkollë, ku ka hapësirë për të gjithë dhe ku nuk detyrohemi të shkojmë me dy turne. Jam në këtë garë për çdo prind, që dëshiron të ketë një treg, ku shërbehet ushqim me cilësi, ku respektohet higjiena dhe ku qyteti është i pastër. Jam në këtë garë për çdo qytetar të Njësive 10 dhe 5, që dëshiron të ketë kopshte dhe çerdhe; për secilin prej jush, që të gjithë së bashku të kemi një Tiranë më të pastër, më higjienike. Një Tiranë, që të jetë në lartësinë e ambicies së secilit prej nesh”, u shpreh kandidati i majtë, Erion Veliaj.

E në fund, Veliaj u bëri edhe njëherë thirrje të gjithë qytetarëve, që në datën 21 qershor të dalin në votime

“Ky është momenti ynë. Kjo është fitorja jonë e përbashkët. Më 21 qershor, pas 5 ditësh, do të zgjohemi në mëngjes e së bashku me familjet, fisin e kushërinjtë, komshinjtë, shokët e shoqet do të hedhim çdo votë për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur”, deklaroi Veliaj.

Top Channel