Pollo: Po instalohet sistemi i Putinit. Rama të tërheqë nga gara Sejdinin

16/06/2015 00:00

Partia Demokratike paralajmëroi se, në vend po instalohet një regjim si i Putinit, ku mediet vendosen nën kontrollin e pushtetit.

Kryetari i Komisionit parlamentar të Medias, Genc Pollo, e bëri këtë akuzë pas bërjes publike të një video, ku kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, kërcënon një gazetare të një televizioni lokal se do ta heqë nga puna, nëse i bën pyetje bezdisëse.

Në video, Qazim Sejdini dëgjohet të thotë se e ka bërë këtë edhe më herët, me një gazetar tjetër, sepse e ka pronarin e televizionit nën kontroll.

Sipas Genc Pollos, kjo është një provë, sesi Rama dhe Meta kanë instaluar në vend një regjim censure, duke zhdukur lirinë e fjalës dhe të medieve.

Partia Demokratike sfidoi kryeministrin Rama, kur tha se pret, nëse ai do të ketë reagimin e një kryeministri europian për ta tërhequr nga gara kandidatin e koalicionit qeveritar për Bashkinë e Elbasanit dhe për të treguar se, nuk ndan të njëjtin standard me të.

Top Channel