Basha, në Vlorë: Shqiptarët do të votojnë paketën e shpëtimit

16/06/2015 00:00

Në Vlorë, Lulzim Basha u shfaq luftarak dhe duket se ka vendosur të mos tolerojë asnjë sulm nga kundërshtari Edi Rama për shtyllën kryesore të opozitës, detyrimin e qeverisë me votë popullore për uljen e taksave dhe të çmimeve.

“Gjatë gjithë ditës merret me opozitën. Ai thotë: këta nuk i ulin dot taksat, këta nuk e ulin dot çmimin e energjisë, këta nuk hapin dot vende pune. Ti që thua se e ndjen dhimbjen e Vlorës, pse nuk i ul taksat? Ti që thua se e kupton varfërinë, pse nuk e ul çmimin e energjisë?”, tha Basha.

Kur kanë mbetur dhe 5 ditë nga zgjedhjet, Lulzim Basha është i bindur se shqiptarët do të përfundojnë me votë atë që opozita nuk arriti dot në Parlament.

“Me 21 Qershor, Edi Rama, Ilir Meta, Koço Kokëdhima, kartonët i keni ju dhe do t’i ngrini ato kartonë për të mirën tuaj dhe të familjes suaj”, u shpreh kreu i PD-së.

Nga Vlora, Basha sfidoi me akuza direkte Kryeministrin Rama dhe kandidatin e qeverisë në Tiranë.

“Flet për arsimin e kandidateve tanë. Ai që 1/4 e njerëzve të tij i ka me shkollën e burgut. Ti krahason Halim Kosovën, njeriun e shërbimit, me një njeri me diplomë false”, tha Basha.

Lulzim Basha pret nga Vlora një vendim historik, siç tha ai, kundër mashtrimit dhe pro interesave të tyre. “Vlora nuk e ul kokën, Vlora është krenare dhe e vendosur. Më 21 Qershor do t’u japë përgjigjen që meritoni”, u shpreh Basha.

Top Channel