Rama: Korçën do ta bëjmë “Parisin e vogël”

16/06/2015 00:00

Nga Korça, Kryeministri Edi Rama e quajti qeverisjen 8-vjeçare të PD-së si antiqytet dhe antizhvillim, ndërkohë në 18 muaj, tha ai, e kthyem këtë qytet në kampionin e Rilindjes Urbane.

Ka ende shumë punë për të bërë, theksoi Rama dhe se qytetarët janë mirëkuptues se në 18 muaj nuk mund të përmbyset gjithçka e ndërtuar keq në vite të tëra.

“Ne kemi arritur të japim provën e sigurt që jemi fuqia që mund të bëjmë, po bëjmë dhe do ta bëjmë me patjetër shtetin që meriton çdo shqiptar i ndershëm, shtetin që meriton çdo familje e cila jeton vetëm përmes punës dhe kërkon të jetë ende më e mirëqenë vetëm përmes punës”, tha Rama. Kryeministri shprehu bindjen se me punën e ish-kryebashkiakut Niko Peleshi dhe vijimin nga kandidati Sotiraq Filo, Korça do të meritojë krahasimin e hershëm me Parisin.

“Korça dhe të gjitha bashkitë e tjera përreth të investoni për Sotiraqin dhe të gjithë kandidatët tanë, aq më e madhe do të jetë përgjegjësia jonë për të punuar së bashku, që Korça e fëmijëve tuaj të jetë ashtu siç ja vunë emrin të parët tuaj, Parisi i Vogël i Shqipërisë. Dhe e vetmja gjë që ju ka munguar në 20 e më shumë vite sot nuk ju mungon më, një qeveri që është me ta dhe që është për ta”, u shpreh Rama.

Ndërsa në Pogradec, investimin e votës për kandidaten Diana Mile, Rama e quajti si dhënie mundësie qeverisë për të mbështetur çdo projekt të saj.

“Për çdo votë që Pogradeci do të japë për Dianën, do të jetë detyrimi im dhe i qeverisë sonë për ta konsideruar një investim në besim që ne do ta kthejmë 100-fish”, tha Rama.

Top Channel