Gara për Durrësin “zbret” në “Top Show”

16/06/2015 00:00

Durrësi mbetet një ndër garat më interesante të kësaj fushate elektorale, e cila ka hyrë në fazën e saj përfundimtare.

Mbi debatin për Bashkinë e Durrësit u fol në “Top Show” mbrëmjen e së martën. Për këtë bashki do të ketë një përballje mes dy kandidatëve, Vangjush Dako, nga koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane, dhe Grida Duma, kandidatja e Aleancës Popullore Për Punë dhe Dinjitet.

Edhe pse ishte përballja e parë e konfirmuar në “Top Show”, në studio ishte vetëm zoti Dako. Grida Duma, në 8 maj në “Top Show” i bëri ftesë publike zotit Dako për të dalë në këtë debat, por mbrëmjen e kësaj të marte ajo nuk pranoi të ishte përballë tij.

“E mirëpres në çdo moment. Do t’ju lutesha të ma sillnit atë në debat”, shprehej Duma më 8 maj.

Në mënyrë të papritur zonja Duma, mesditën e së martës njoftoi se nuk do të marrë pjesë ne debat dhe për këtë dërgoi edhe një letër në redaksinë e “Top Show”.

“Zoti Dako ka refuzuar debatin disa herë dhe në studio të tjera televizive. Debati në studion tuaj u kushtëzua kur ne kërkuam që të kishte edhe video, ku shfaqeshin dëshmi të tentativës së blerjes së votës dhe betoniere të kompanisë së familjes që punojnë në punët publike. Më vjen keq që kandidati tjetër nuk e pranoi përballjen e vërtetë”, shkruhej mes të tjerash në letër.

Ndërkohë, zoti Dako i pyetur pse nuk pranoi shfaqjen e këtyre materialeve filmike, ai u shpreh: “Unë kam konfirmuar para pak ditësh debatin dhe dje ne kemi rënë dakord për këtë debat, por nuk është e ndershme të ketë ndryshime në momentin e fundit. Ka vende të tjera për shfaqjen e videove dhe jo në debat. Për ato që do të diskutonim ne kishim rënë dakord më parë”.

Më pas zoti Dako shpalosi pikat kryesore të platformës së tij, për programin e zhvillimit të qytetit. 
 
Zhvillimi ekonomik, potencialet e zhvillimit

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Vangjush Dako tha se deti dhe toka do janë dy asetet e mëdha të zhvillimit ekonomik në bashkinë e re të Durrësit.

“Zhvillimi ekonomik është një nga shtyllat kryesore ku kemi përqendruar asetet kryesore, të cilat janë deti dhe toka. Ne kemi një plan të qartë për të zhvilluar bujqësinë. Gjithashtu kemi në plan edhe zhvillimin e industrisë. Rreth 480 hektarë janë vënë në dispozicion për një treg të madh të lirë, pa taksa, i cili do të përdoret edhe për eksportet me vendet e perëndimit. Kjo hapësirë do t’i japë Durrësit zhvillim dhe do të shtojë punësimin. Do të synojmë të rrisim ekonominë e fermerëve. Kodrat e Durrësit duhen shfrytëzuar për vreshtari dhe ullishte. Agro-turizmi do të ketë një tjetër përkrahje. Gjithashtu kemi edhe turizmin, ne po kërkojmë të hedhim themelet për vitet 2030. Ne këtë e kemi nisur tashmë prej vitesh. Në vitet e ardhshme do të zhvillojmë edhe zonën e bregdetit. Portin duam ta hapim për qytetarët. Në Currila do të ndërtojmë një plazh tërësisht të ri”, tha Dako.

Infrastruktura dhe urbanizimi

Për sa i përket infrastrukturës, zoti Dako tha se zonat e reja të përfshira në Bashkisë e Durrësit kanë problematikat më të mëdha. Ndërsa në lidhje me urbanizimin, ai shtoi se do të synojë krijimin e  hapësirave të reja publike.

“Me bashkinë e re, tashmë kemi një zonë shumë më të madhe. Ne kemi gjetur në zonat e reja një infrastrukturë shumë të rënduar dhe do të punojmë ta rikonstruktojmë atë. Do të synojmë ndërtimin e rrugës që lidh autostradën me Hamallajn, e cila do t’i japë një tjetër zhvillim zonës turistike. Gjithashtu do të rikonstruktojmë një sërë rrugësh të tjera. Në të gjitha rastet ne themi se infrastruktura ka të bëjë edhe me urbanizimin. Për 8 vite kemi përmirësim, por do të vazhdojmë në këtë drejtim. Ne synojmë të krijojmë hapësira të reja publike, të cilat do të sjellim edhe zhvillim turistik dhe ekonomik. Pranë portit kemi planifikuar një shesh për qytetarët me hapësira ku do të ketë edhe një vepër arkitektonike për të thithur sa më shumë turistë”.

Turizmi

Do të synojmë zgjerimin e turizmit për gjatë gjithë vitit, tha Dako, ndërsa shtoi se një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet edhe trashëgimisë kulturore.

“Turizmi është një nga shtyllat e zhvillimit të Durrësit. Në zonën e Gjirit të Lalzit do të ndërtojmë resorte turistike dhe moderne. Në plazhin e vjetër të Durrësit do të rikonstruktojmë hotelet ekzistuese për të ofruar shërbime sa më të mira. Ne synojmë të zgjerojmë turizmin për gjatë gjithë vitit. Trashëgimia kulturore është një tjetër synim i joni për ta zhvilluar. Ky është një tjetër turizëm pozitiv pasi është i shtrirë gjatë gjithë vitit”, tha Dako.

Bujqësia

Edhe bujqësia u vlerësua si një ndër shtyllat kryesore nga Dako, i cili tha se do të ndërtohen kanalet vaditëse, si dhe kulluese. Ai premtoi edhe ndërtimin e një tregu të lirë.

“Po ashtu si turizmi dhe bujqësia është një nga shtyllat kryesore, pasi Durrësi ka toka pjellore, por nuk mund të ketë zhvillim kur nuk ka ujë për vaditje. Ne do të synojmë të rregullojmë këtë sistem, gjithashtu edhe kanalet kulluese. Ne do të synojmë të krijojmë edhe një inspektorat për mbrojtjen e tokës, i cili do të zgjidhë shumë probleme të fermerëve edhe për aktet e pronësisë. Një plan është edhe ndërtimi i rrugëve të arave që janë në gjendje të mjerueshme. Shtrimi i tyre me një kosto të ulët do t’i vinte shumë në ndihmë fermerëve. Por edhe ndërtimi i një pike grumbullimi është shumë i rëndësishëm për Durrësit. Fermerët duhet të përkushtohen vetëm në zhvillimin e produkteve, ne duhet të garantojmë shitjen. Vreshtaria dhe ullishta do të jetë një tjetër prioritet”.

Punësimi

Në lidhje me punësimin, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, tha se lehtësirat dhe mbështetja ndaj biznesit do të krijonte mundësi punësimi.

“Bashkia nuk është punëdhënëse e drejtpërdrejtë. Ne mund t’i krijojmë lehtësira biznesit, i cili do të rriste numrin e të punësuarve. Edhe ndihma në bujqësia jep mundësi për vende pune. Gjithashtu edhe turizmi, të cilin po e stimulojmë, përkthehet në vende pune”, tha Dako.

Në pjesën e dytë të emisionit, zoti Dako ishte përballë një paneli analistësh të përbërë nga Robert Rakipllari, kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Skënder Minxhozi, kryeredaktor i “Javanews.al” dhe analisti Arjan Vasjari.

Minxhozi e pyeti kandidatin e mazhorancës se sa ai e ndjen mandatin e tretë, ndërsa Dako u përgjigj se pas 8 vjetësh në krye të bashkisë ka krijuar eksperiencën e duhur për të zhvilluar më tepër projekte për Durrësin.

“Ju e mendoni si konsum, ndërsa unë i shoh si avantazh 8 vitet  në krye të bashkisë. Ardhja e qeverisë “Rama” në pushtet na jep mundësi dhe një tjetër vizion”, tha Dako.

Në lidhje me akuzat e ngritura nga PD-ja për shtimin e personave të regjistruar në bashkinë e Durrësit gjatë muajve të fundit, Vasjari pyeti zotin Dako se si ka mundësi që në këtë bashki janë shtuar 2800 veta në vetëm dy muaj.

Dako pranoi se në shkurt-mars ka pasur një fluks në rritje, por në anën tjetër ai tha se po në të njëjtën periudhë janë larguar nga Durrësi mbi 1 mijë qytetarë.

“Në të dyja rastet këtë liri këtyre personave ia ka dhënë demokracia pasi është liria e çdo banori. Durrësi ka qenë 60 mijë banorë dhe tashmë është 210 mijë”, tha kandidati i PS.

Ndërsa Vasjari shtoi se zoti Dako është i kapur me ‘presh në dorë’ në këtë rast.

Robert Rakipllari u rikthye edhe një herë te çështja e mandatit të tretë për zotin Dako, duke thënë se mund të cilësohet historike nëse ai do të marrë një tjetër mandat.

“Që Dako të merrte një tjetër mandat do t’i duhet të kishte disa projekte që të mos i përkisnin vetëm Durrësit, por të gjithë Shqipërisë, si aset i madh që është Durrësi”, tha Rakipllari, i cili më pas pyeti nëse në Durrës do të vazhdojë ende modeli i turizmit masiv, me zgjerimin e bashkisë, apo ka plane të tjera?

Dako u përgjigj se do të ketë rikualifikim të zonës së plazhit të vjetër, ndërsa do të ndërtohet një resort i madh turistik në zonën e Ishmit, me një numër rreth 2 mijë shtretër.

Për sa i përket taksave në Bashkinë e Durrësit, Vasjari tha se në këtë bashki ato janë shumë më të larta se në qytete të tjera. Ai shtoi se duke qenë se biznesi është pikërisht ai që shton edhe punësimin ndoshta do të ishte më mirë që gjatë këtyre viteve këto taksa të ishin riparë.

“Biznesit të madh i marrim vetëm taksën e pasurisë”, tha Dako, i cili shtoi se kjo taksë mund të ulet me 30% dhe premtoi se do ta ulë atë gjatë mandatit të tij të ardhshëm.

Minxhozi i kërkoi zotit Dako një përgjigje për fushatën e zonjës Duma dhe si ai e sheh atë si kandidate.

“Rivalja është duke bërë një aktrim shumë të madh. Ajo një herë shfaqet duke qarë, një herë bën prokuroren në studio televizive, një herë thotë do të bëjë 8 kinema, herën tjetër do bëjë 3 porte jahtesh. Ajo është shumë konfuze. Zonja Duma nuk ka një program, deri tani vetëm na ka kopjuar. Kjo është hera e tretë që unë kandidoj dhe zonja Duma është rivalja më e dobët për sa i përket programit”, tha Dako.

Top Channel