Jean-Claude Juncker akuzoi qeverinë greke se po keqinformon qytetarët pas deklaratave të kryeministrit Alexis Tsipras, që tha se huadhënësit ndërkombëtarë po përpiqen të “poshtërojnë” vendin e tij.

Presidenti i Komisionit Europian akuzoi Tsipras dhe qeverinë e drejtuar prej tij se nuk po u thotë grekëve të vërtetën sa u përket propozimeve të hedhura në tavolinë.

“Fajësoj qeveritarët grekë për gjërat që po hedhin në publik, të cilat nuk qëndrojnë aspak dhe për këtë kam vënë në dijeni edhe kryeministrin Tsipras”, tha Juncker.

Reagimi i ashpër i Juncker mbërriti pas deklaratave të Tsipras se huadhënësit ndërkombëtarë kishin propozuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe të taksave të shitjes së barnave mjekësore.

Juncker tha se Komisioni ka qenë kundër këtyre propozimeve dhe Tsipras e di mirë.

“Nuk mbështes, dhe kryeministri e di, rritjen e çmimit të energjisë dhe taksave për barnat mjekësore. Do të ishte një gabim i madh. Debati do të ishte më i thjeshtë në Greqi dhe jashtë Greqisë, nëse qeveria do t’u tregonte qytetarëve se çfarë po propozon në të vërtetë Komisioni”, tha Juncker.

Por pala greke këmbëngul se ka një propozim për të rritur çmimin e energjisë elektrike dhe taksat për shitjen e barnave mjekësore.

“Juncker ose nuk e ka lexuar, ose e ka lexuar dhe e ka harruar atë që është shkruar në draft-propozimet që i dorëzoi Tsiprasit”, deklaroi ministri grek i Financave, Varoufakis.

Të martën, Tsipras shpërtheu në deklarata të forta kundër Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Duan të poshtërojnë jo vetëm qeverinë, por edhe popullin grek. FMN mbart një përgjegjësi kriminale për masat shtrënguese që ka zhytur njerëzit në varfëri dhe ekonominë në rënie”, tha ai.

Athina duhet të gjejë një marrëveshje me huadhënësit ndërkombëtarë brend muajit qershor, për shklyerjen e 1.6 miliardë eurove, ose përndryshe të përballet me falimentin.

Top Channel