Në kërkim 39-vjeçari që qëlloi me armë në takimin e Mziut

17/06/2015 00:00

Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj shtetasit Liman Lita, 39 vjeç, i dyshuar si autor i incidentit të ndodhur një ditë më parë gjatë një takimi elektoral në Paskuqan të kandidatit të PD-së për Bashkinë e Kamzës, Xhelal Mziu.

Policia sqaron se 39-vjeçari Lita, banues në Tiranë, dyshohet se në rrugën “Avzi Nela” në Paskuqan, është konfliktuar dhe ka penguar kandidatin e PD-së, Xhelal Mziu. duke qëlluar me armë zjarri në rrugën e asfaltuar.

Më pas kanë ndërhyrë dhe i kanë marrë armën mbështetësit e kandidatit të PD-së, të cilëve policia u publikon vetëm inicialet: P.K. 38 vjeç, Z.K, 45 vjeç , I. L. 30 vjeç dhe A. P. 42 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Pas kësaj, Lita është larguar me automjetin e tij.

Në cilësinë e provës materiale u gjet në asfalt dhe u sekuestrua një predhë plumbi, arma pistoletë tip “TT” dhe një krëhër me 5 fishekë. Policia tha se po punon për kapjen e 39-vjeçarit Lita.

Top Channel