Reforma në drejtësi, Rauning: Arsimi ligjor nuk është vetëm për avokatët

17/06/2015 00:00

Reforma ligjore fillon dhe mbaron me ju, është shprehur ambasadori i OSBE-së, Florian Rauning, para studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër. Ai ka marrë pjesë në diskutimin e anëtarëve të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi mbi krijimin e kulturës së shtetit të së drejtës.

“Përpjekjet për të zhvilluar sistemin e drejtësisë të së ardhmes, duhet të kenë autorësi vërtet kombëtare, duhet të kenë autorësinë e secilit prej jush. Ja përse jam kaq i gëzuar që gjendem sot me ju, ndërsa përfshihemi në një dialog kombëtar për reformën në drejtësi, duke u përqendruar tek arsimi ligjor. Sepse arsimi ligjor nuk është vetëm për avokatët. Ju, si edukues profesionistë, jeni në krye të edukimit në të gjithë vendin me kulturën e shtetit të së drejtës. Ne, në OSBE, themi ‘shteti i së drejtës fillon nga ti’, që thekson rëndësinë themelore që ka krijimi i kulturës së shtetit të së drejtës. Sot, unë do të shtoja: ‘Reforma ligjore fillon dhe mbaron me ju”, tha kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Florian Rauning.

Ndërsa Aurela Anastasi, anëtare e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, theksoi se në qendër të reformës nuk janë vetëm arsimi i lartë juridik dhe Shkolla e Magjistraturës, “por edhe arsimimi juridik në profesionet e lira, edukimi vazhdues dhe kualifikimi i punonjësve që shërbejnë në institucionet ndihmëse të drejtësisë, diskutimi juridik në arsimin parauniversitar, si dhe çështja e strategjisë për edukimin ligjor të publikut në tërësi. Këtu mendojmë se jemi thelluar, por natyrisht nga diskutimet që do të zhvillojmë sëbashku ne kemi nevojë të thellohemi më shumë”.

Konsultime mbi kapituj të veçantë të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri-2015” do të zhvillohen në vijim dhe në Korçë, Vlorë, Durrës, Pogradec dhe në Tiranë.

Top Channel