SHBA-të i përgjigjen “kërcënimit” rus. Avionë F22 drejt Europës

17/06/2015 00:00

Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara mund të dërgojnë disa prej avionëve luftarakë më të avancuara teknologjikisht në Europë, në atë që konsiderohet si sinjal force kundrejt veprimeve të Rusisë në Ukrainë apo kudo tjetër në kontinentin e vjetër.

“Kërcënimi më i madh, sipas meje, është ajo që po ndodh me Rusinë dhe aktivitetet e ndërmarra prej Rusisë”, tha sekretarja e Forcave Ajrore të SHBA-ve, Deborah James, gjatë një vizite në një event të mbajtur në Francë, “Paris Air Show”. “Është mëse shqetësuese ajo që po ndodh në Ukrainë”.

Komentet e James janë raportuar nga shumë faqe zyrtare të Mbrojtjes amerikane. Prej muajsh, Pentagoni ka dërguar me rotacione avionë të ndryshëm luftarakë në Europë, për stërvitje të përbashkëta me aleatët, bazuar mbi Operacionin për Vendosmërinë e Atlantikut, e cila konsiderohet ndryshe edhe si “angazhimi i Amerikës për sigurinë e Europës”.

Në këto stërvitje kanë marrë pjesë edhe avionë bombardues të tipeve B2 dhe B52, avionë sulmues si F15Cs dhe A10, ashtu sikurse edhe asete të tjera të ushtrisë dhe Marinës amerikane.

James bëri të ditur gjithashtu se, së fundi, këtyre stërvitjeve mund t’u bashkohen edhe avionë të tipit F22, më të mirët e mundshëm luftarakë të Pentagonit.

“Mund ta shoh shumë të afërt ditën, edhe pse nuk mund ta them me ekzaktësi datën, kur F22 të bëhet pjesë e këtyre stërvitjeve. Nuk di ndonjë arsye, përse këto të mos bëhen pjesë në të ardhmen”, tha më tej James.

Avionët F22, që u bënë operacionalë në vitin 2005, por që për herë të parë u përfshinë në luftime gjatë sulmeve ndaj operacioneve të ISIS në Siri, gjatë fundit të vitit të kaluar, mund të konfigurohen për sulme ndaj avionëve të tjerë apo edhe për të bombarduar objektiva në terren.

“Avionët F22 nuk mund të krahasohen me asnjë avion luftarak të njohur apo të projektuar deri më sot”, tha ajo për avionët e tipit “skifter”, që kushtojnë rreth 143 milionë dollarë secili.

Top Channel