Dako, në Spitallë: Zhvillimi ekonomik do të mbështetet tek toka dhe deti

17/06/2015 00:00

Kandidati i majtë për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako është takuar me banorët e Spitallës, ku është shprehur se zhvillimin ekonomik do ta mbështesë tek toka dhe deti. Në këtë takim ai shoqërohej nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ai i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

“Në mandatin e ri do të vëmë në zbatim projektet tona për zhvillimin ekonomik me qëllim që të ulim varfërinë dhe papunësinë. Ne e mbështesim zhvillimin ekonomik tek toka bujqësore, toka industriale dhe deti, si tre shtylla të rëndësishme që gjenerojnë hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e të ardhurave për banorët e Durrësit”, u shpreh Dako.

Ai tha se Zona e Lirë Ekonomike që do të krijohet pikërisht në territorin e Spitallës, pranë kampusit universitar, do të mundësojë hapjen e shumë vendeve të reja të punës, jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë vendin. Sipas Dakos, Zona e Lirë Ekonomike, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, afër aeroportit të Rinasit, Tiranës dhe Durrësit, pritet të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të qytetit bregdetar dhe më gjerë.

“Sektori i peshkimit do të jetë në qendër të vëmendjes, si një sektor me rëndësi në jetën ekonomike të qytetit, pasi në peshkim janë punësuar shumë persona dhe shumë të tjerë do të jenë të punësuar aty”, vijoi Dako.

Ai ka folur edhe për projektin që nis së shpejti për ndërtimin e ujësjellësit të ri, që do të sigurojë furnizim të vazhdueshëm me ujë të pijshëm për qytetin e Durrësit.

Top Channel