Bota, gjithnjë e më e dhunshme. Kostoja kap shifrën rekord të 14 trilionë USD

17/06/2015 00:00

Kostoja e dhunës anembanë botës ka arritur një shifër rekord prej 14,3 trilionë dollarë në vitin 2014, e barazvlefshme me vlerën e përbashkët të ekonomive të Brazilit, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar, sipas një raporti mbi sigurinë globale, të publikuar këtë të mërkurë.

Diferenca mes rajoneve më paqësore dhe atyre më të trazuara në botë është thelluar edhe më tej, duke qenë se shumë vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës janë përfshirë nga një dhunë edhe më e ashpër, bën të ditur studimi i Institutit për Ekonominë dhe Paqen (IEP) me seli në Australi.

Siria renditet si vendi më pak paqësor në botë për vitin 2015, ndërsa Libia ka parë përkeqësimin më të madh të mundshëm në Indeksin e Paqes Globale. Islanda, nga ana tjetër, mbetet vendi më paqësor në botë.

“Kostoja e dhunës është lidhur më së shumti me rritjen e vdekjeve nëpër konflikte, me pasojat e rënda ekonomike të konflikteve në vendet ku ato ndodhin, si dhe me rritjen e kostove të lidhura me popullsinë e zhvendosur”, tha themeluesi i IEP-së, Steve Killelea.

Kostoja e mbështetjes së refugjatëve dhe njerëzve të zhvendosur përbrenda kufijve të vendeve të tyre është rritur me 267 për qind që prej vitit 2008, duke kapur shifrat e 128 miliardë dollarëve, ndërkohë që numri i personave të shpërngulur ka shkuar në 50 milionë, shifër kjo në nivelin më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Gjithsesi, ato që kanë pasur impaktin më të madh në këto kosto janë shpenzimet në lidhje me ushtrinë, forcat policore dhe përballja me vrasjet, që përbëjnë mbi 68 për qind të shifrës së përgjithshme, sipas studimit në fjalë.

Pavarësisht konfliktit në Ukrainë, Europa vazhdon të përjetojë nivele historike të paqes, me një rënie të theksuar të normës së vrasjeve dhe me tërheqjen e forcave nga Iraku e Afganistani. Por Iraku, Siria, Nigeria, Sudani Jugor dhe Republika e Afrikës Qendrore janë bërë edhe më të dhunshme sesa një vit më parë, sipas indeksit ku përfshihen 162 shtete.

Intensiteti i konflikteve është rritur në mënyrë dramatike, thuhet në studim, teksa numri i personave të vrarë është rritur në plot 180 mijë të vrarë në vitin 2014, krahasuar me 49 mijë që ka qenë në vitin 2010.

Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore janë rajonet më të dhunshme në botë, të cilat kanë tejkaluar kështu Azinë Jugore, e cila renditej si rajoni më i dhunshëm gjatë studimit të një viti më parë, i cili iu referohej statistikave të vitit 2013.

“Duke parë zhvillimet e fundit në këto rajone, është tepër e vështirë të dihet se cilat janë zgjidhjet apo për të bërë parashikime për vitin e ardhshëm”, tha Killelea. Në studim bëhet e ditur gjithashtu se Guinea Ekuatoriale, Bregu i Fildishtë, Egjipti dhe Benini janë vendet me përparimet më të mëdha në lidhje me paqen.

Top Channel