Shembet vila “trashëgimi kulturore”. Kumbaro: Të hetohet dhënia e lejes

17/06/2015 00:00

Një vilë në rrugën “Asim Zeneli” është shembur, edhe pse ishte në listën e Trashëgimisë Kulturore. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka akuzuar Bashkinë e Tiranës për shkelje të ligjit për dhënien e lejes së ndërtimit, duke kryer një krim ndaj trashëgimisë kulturore.

“Nëse ky vendim mban datën 15 korrik 2014, siç e shikoni në tabelën pas meje, leja zhvillimore mban datën 6 tetor 2014. Kjo leje është krejtësisht e paligjshme, dhe nuk duhej të ishte dhënë pas këtij vendimi. Dhe, ashtu siç thotë populli ‘punët e liga bëhen natën’, ky objekt është prishur gjatë natës, në kundërshtim me ligjin. Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës kanë reaguar menjëherë. Kemi çuar kallëzimin në polici, i kemi çuar shkresë edhe Bashkisë së Tiranës, si dhe kemi njoftuar Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, i cili dje ka kryer aktin e pezullimit”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Zonja Kumbaro u ka kërkuar organeve të drejtësisë të ndjekin të gjitha procedurat ligjore për zbardhjen e kësaj çështjeje. Kjo pasi, sipas Ministrisë së Kulturës, leja zhvillimore e datës 6 tetor 2014 dhe vendimi përkatës i kryetarit të Bashkisë së Tiranës janë në shkelje me vendimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimit, të korrikut 2014, dhe me ligjin e Trashëgimisë Kulturore, i cili shprehet qartësisht në nenin 12, se ndalohet çdo ndërhyrje në objektet në mbrojtje si monument kulture.

“U bëj thirrje edhe organeve të drejtësisë, përfshirë Prokurorinë, ta ndjekin këtë çështje. Gjithashtu, dua të përfitoj t’i bëj thirrje çdo subjekti, që në asnjë mënyrë të mos mendojnë se vëmendja e shtetit në këtë periudhë nuk është në lartësinë e duhur, dhe se çdo akt për t’i bërë karshillëk ligjit do të dënohet nëse ndodh, edhe pse nuk do ta lejojmë të ndodhë. Kemi dy vite që punojmë fort në mbrojtje të trashëgimisë, mbrojmë fort çdo lloj akti edhe në skajet më të largëta të vendit, por të ndodhë kjo gjë në mes të Tiranës është totalisht flagrante, e rëndë dhe krim pa asnjë dyshim. Askush të mos guxojë të prekë objektet, që tashmë janë në status të mbrojtur si trashëgimi kulturore, sepse dënimi do të jetë shumë i ashpër”, shtoi ministrja Kumbaro.

Mësohet se Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka bërë pezullimin e veprimeve të mëtejshme dhe ka njoftuar subjektin e ndërtimit për këtë masë.

Top Channel