Kosova, në Laprakë: Mos e çoni votën dëm. Qytetit i duhet një menaxher i mirë

17/06/2015 00:00

Kandidati i së djathtës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, është takuar mëngjesin e së mërkurës me banorë të Laprakës dhe të Njësisë 9 në kryeqytet, me të cilët ka ndarë idetë e zhvillimit të qytetit, si dhe theksoi sërish mesazhin për rëndësinë e votës së tyre.

Në Laprakë, pas ankesës së një zonje të papunë, e cila kërkoi ulje taksash dhe punësim, kandidati opozitar është detyruar të japë edhe me firmë “premtimin për 40 mijë vende të reja pune”.

Halim Kosova, duke iu drejtuar të papunës në fjalë, ka thënë se më 21 Qershor ajo dhe të gjithë qytetarët e tjerë duhet të dalin të votojnë dhe të mos e lënë votën në shtëpi, sepse ashtu çohet dëm. “Shikojini të gjitha kandidaturat dhe vendosni për atë që besoni, por votoni. Jepjani votën atij që besoni”, ka thënë kandidati demokrat.

Ndërkohë, në takimin me banorët e Njësisë 9, Kosova ka folur për parimet e tij të qeverisjes dhe administrimit të bashkisë së re, nëse zgjidhet kryebashkiak.

“Jam i bindur që kemi shumë për të bërë, edhe pse dihet që jo gjithçka mund të bëhet brenda një dite. Do të fillojmë në datën 22 dhe nuk do të ndalemi në asnjë ditë”, është shprehur Halim Kosova, i cili ka theksuar gjithashtu se “sa më të mëdha të jenë hallet e qytetarëve, aq më e madhe është shpresa për fitore”.

“Do të sjellim shpresën në çdo shtëpi, do të sjellim jetën, do të ndërtojmë mirëqenien për të bërë më të mirën, jo vetëm për lagjen tuaj, por për të gjithë Tiranën. Nuk ka rrugë tjetër, përveçse në krye të Tiranës të jetë një menaxher, që vjen me provë në të mirë të qytetit. Me fondet që janë për ju, nuk duhet abuzuar kurrë, por duhen çuar aty ku është halli, aty ku janë nevojat, aty ku përmirësojnë diçka në qytetin tonë”, tha Halim Kosova.

Top Channel