Kosovë, kabineti qeveritar miraton disa projektligje gjatë mbledhjes

17/06/2015 00:00

Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për sigurimet, i cili, sipas ministrit të Financave, Avdullah Hoti, eliminon çfarëdo lloj forme të cënimit të konkurrencës në tregun e sigurimeve. Gjithashtu, kabineti qeveritar i Kosovës miratoi edhe dokumentin e propozuar për themelimin e fondit kosovar për garancitë kreditore.

“Ky projektligj adreson prioritetin e qeverisë së Kosovës për eliminimin e çfarëdo lloj forme të cënimit të konkurrencës në tregun e sigurimeve. Projektligji i Sigurimeve rregullon parimet dhe rregullat për mbikëqyrjen dhe rritjen e sigurimeve, ndërmjetësuesit dhe subjektet e parashikuara në këtë projektligj”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave.

Në mbledhjen e radhës së Qeverisë u diskutua edhe për projektin e Ministrisë së Bujqësisë me Britaninë e Madhe për investime në bujqësi. Ministri i këtij dikasteri kërkoi që të angazhohet një staf shtesë për realizimin e këtij projekti.

“Këtë vit, Agjensioni për Zhvillimin e Bujqësisë duhet të implementojë një program mjaft ambicioz prej 43 milionë eurosh, afërsisht sa dyfishi i buxhetit apo fondeve e skemave mbështetëse të vitit të kaluar. Por fakt është se, për implementimin e një buxheti dy herë më të madh, nuk kemi asnjë njeri shtesë apo asnjë zyrtar shtesë, gjë që ka qenë sfida kryesore, që vazhdon të na përcjellë edhe në këtë kohë”, tha Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë.

Kur është fjala për rritjen e numrit të punonjësve në sektorin publik, kryeministri Isa Mustafa kujtoi se, në fakt, qeveria e Kosovës ka një staf më të madh nga sa i nevojitet dhe për këtë duhen bërë transferime mes ministrive.

“Pa nënvlerësuar kontributin e çdo zyrtari teknik, çdo shërbyesi civil, të gjithë e dimë se kemi një staf, i cili shpesh i tejkalon nevojat e përditshme te disa ministri. Njerëzit i kemi, ndaj dhe mendojmë se kemi hapësira të mjaftueshme për t’i transferuar nga një ministri në tjetrën, nga një agjension në tjetrin. Në këtë fushë do të ketë shumë punë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Mustafa njoftoi gjithashtu se, në komunat veriore ka filluar të punohet në krijimin e marrëveshjeve për ndarjen e buxhetit prej 15 milionë eurosh, dhe Fondit për Zhvillimin e Veriut, që është 7 milionë euro, por që nuk realizohet përmes qeverisë, por përmes zyrës së BE-së, në bashkëpunim me ministrin e Financave.

Top Channel